Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ishte për herë të parë i kënaqur me qeverinë shqiptare në 10 tetor, kur erdhi për të inauguruar Xhaminë e Namazgjasë. Çështja e shkollave, e njohur kryesisht si “Kolegjet Turke”, është në fazën e mbylljes. Një pjesë e tyre i janë shitur Fondacionit Maarif, një pjesë janë mbyllur nga qeveria, duke mos u dhënë licencë. Ka mbetur vetëm një numër i vogël institucionesh arsimore turke jashtë kontrollit të “Sulltanit”. Me marrëveshjen e menaxhimit të Xhamisë së Namazgjasë, Erdogan kishte gjithë arsyet të ndihej i lehtësuar.
Pasi mori Xhaminë në administrim autonom nga Komuniteti Musliman Shqiptar, krijoi dhe një Fondacion, që përveçse do të menaxhojë Xhaminë, do të krijojë edhe strukturat paralele të organizimit, për të shmangur KMSH, deri në marrjen në kontroll të të gjithë komunitetit. Kështu “trekëndëshi Gylenist” i përbërë nga Arsimi, Besimi dhe Biznesi, duket se po shkatërrohet. I vetmi problem mbetet Spitali Amerikan, që vazhdon të jetë në pozita të forta. Pavarësisht investimeve të Qeverisë Turke në rrjetin e spitaleve “Memorial”, spitalet turke vazhdojnë të jenë më të kërkuarat dhe kjo nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Erdogan, që i ka kërkuar Ramës të ndërhyjë me të gjitha mjetet për ta shkatërruar hallkën e fundit të lëvizjes Hizmet. Situata për Kryeministrin Rama ndërlikohet. Spitali Amerikan zotërohet nga Klodjan Allajbeu por edhe një fond amerikan i investimeve.
Për këtë arsye zbatimi i porosisë së “Sulltanit” nuk është aq i lehtë sa në dy rastet e tjera. Sipas burimeve të Dosja.al një grup i fuqishëm turk ka ardhur në Tiranë për ta blerë kompaninë e Allajbeut dhe fondit amerikan, por oferta e tyre nuk është pranuar. Kjo mund të jetë lëvizja e fundit e vëllezërve autokratë Erdogan-Rama, për ta zgjidhur çështjen me mjete paqësore. Ashtu si me shkollat apo me mësuesit Gylenistë, pas dështimit me karotën, qeveria mund të nxjerrë shkopin. Për tu zbatuar deri në fund fermani i “Sulltanit”, qeveria mund të përdorë mjetet e tjera, si tatimet, licencat e Ministrisë së Shëndetësisë etj. Mbetet për tu parë se si do të zhvillohet beteja e fundit për të kënaqur Erdoganin dhe për të marrë prej tij ndonjë dhuratë tjetër në prag të zgjedhjeve, ashtu si në 2021. Pas ndarjes nga jeta të Fethulla Gylenit, lufta ndaj lëvizjes “Hizmet” që ai themeloi, është thelluar.