Përballja me Çekinë dhe Ukrainën, policia plan masash për sigurinë, ja akset që do të bllokohen

0
23

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë për dy ndeshjet e fundit të kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve, kundër Çekisë dhe Ukrainës, më 16 dhe 19 nëntor.
Për ndeshjen e nesërme ndaj Çekisë do të ketë bllokim të disa akseve rrugore në Tiranë, duke filluar që prej orës 15:00 të disa prej akseve rrugore, më konkretisht:

* Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Themistokli Gërmenji”;
* Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;
* Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
* Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
* Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Gjitjhashtu, uniformat blu raportojnë se do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia paralajmëron tifozët shqiptarë dhe të huaj se veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Gjithashtu, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Uniformat blu kërkojnë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelohen tifozët dhe qytetarët që të jenë vigjilentë për të mos rënë pre e mashtrimit me çmimet e biletave, të cilat janë të bëra publike zyrtarisht, si dhe që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin.

“Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas rradhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar. Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Shqipërisë. Në rast se gjendeni në situata të tilla paligjshmërie, denonconi menjëherë në numrin 112.” – thuhet në njoftim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here