Pardje dhe dje, në mënyrë të njëpasnjëshme, u tërhoqën nga skuadra përfaqësuese dy futbollistë cilësorë që kanë shënuar emrat e tyre në ballafaqimet ndërkombëtare të Shqipërisë, e madje kanë pasur edhe kontributin e tyre. Bekim Balaj fillimisht dhe dje edhe Odise Roshi, vendosën të shkëputën me ekipin përfaqësues, një vendim i pritshëm deri diku, pasi, edhe pse janë aktivë me skuadrat e tyre në futbollin e klubeve, ata nuk ishin më në projektet e trajnerit Silvinjo në ekipin kombëtar. Kështu, sikurse njofton vetë Federata Shqiptare e Futbollit, është bërë i njohur tashmë vendimi i Odise Roshit për t’u tërhequr nga Kombëtarja kuqezi, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme me ngjyrat kuqezi. Odise Roshi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin Kombëtar, duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij në arritjet historike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Gjatë gjithë karrierës së tij me kuqezinjtë, Odise Roshi i njohur edhe me nofkën “Raketa” nga tifozët, numëron 71 ndeshje dhe 5 gola, ndërsa ishte pjesë e skuadrës në kualifikimin historik në “Euro 2016” dhe pjesë e saj në finalet e Europianit.
Qëndrimi i federatës
Një qëndrim të shkurtër mbajti për rastin edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila e falënderon Roshin për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite me fanellën kuqezi, ku do të kujtohet gjithmonë për asistet e tij vendimtare shpejtësinë dhe energjinë e tij në shërbim të ekipit. Për të dy këta lojtarë do të ketë një ceremoni përmbyllëse të karrierës në ndeshjen e radhës më 16 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Shqipëria do të luaj përballë Republikës Çeke, ndeshja e parafundit e grupit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Prapaskenat e tërheqjes
Për Bekim Balajn dhe Odise Roshin që u tërhoqën njëkohësisht nga përfaqësuesja do të ketë një ceremoni vlerësimi me një tërheqje pompoze nga “Air Albania” në duelin e së shtunës ndaj Çekisë, por duhet të kujtojmë që kjo dyshe lojtarësh gjithmonë kanë qenë shokë të ngushtë dhe madje në shumë raste kanë luajtur së bashku. Të dy ata vijnë nga moshat, kanë dhënë kontribut në përfaqësuese, Roshi disi më shumë me numër ndeshjesh, kurse Balaj për atë gol të rrallë që shënoi fitoren ndaj Portugalisë në eliminatoret e Euro-2016. Po cilat ishin prapaskenat e tërheqjes? Lidhen me qëndrimin e trajnerit Silvinjo, i cili nuk i ftoi lojtarët në Europianin e Gjermanisë, madje as i grumbulloi për ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Me pak fjalë, Silvinjo nuk i kishte as Balajn e as Roshin në planet tij të së ardhmes dhe të gjendur në këto pozita, për më tepër që nuk janë më në kulmin e tyre, lojtarët si duket kanë marrë vendim për tu tërhequr nga skuadra përfaqësuese. Natyrisht, për emocionet që kanë përçuar në këta vite dhe për kontributin e tyre me fanellën kuqezi, meritojnë respektin e sportdashësve shqiptarë. Balaj është për momentin golashënuesi kryesor në kampionatin shqiptar të futbollit, duke qenë lideri i Vllaznisë këtë edicion.