FSHF nxjerr në shitje emrin e stadiumit kombëtar, fton të interesuarit për shprehje interesi

0
27

Një tjetër lëvizje nga FSHF për stadiumin kombëtar në Tiranë, emri i të cilit do të jetë në treg. Ai që paguan më shumë merr të drejtën e emrit, duke pasur përfitime nga reklamat, kurse federata nga xhepat. Kështu, Qendra Sportive Kuq e Zi (QSKZ), njoftoi dje shpalljen e hapjes së një procesi publik për ofertat, në lidhje me të drejtat e emërtimit të Stadiumit Kombëtar në Tiranë. Stadiumi Kombëtar, i njohur me emrin komercial “Air Albania Stadium”, me një kapacitet prej 22,500 vendesh, është impianti më i rëndësishëm sportiv në Shqipëri.

Kjo godinë prestigjioze, në qendër të Tiranës, është jo vetëm shtëpia e ekipit kombëtar të futbollit, por edhe qendra më e rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve futbollistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo shërben edhe për evente të ndryshme si koncerte, prezantime si edhe për ngjarje të ndryshme komunitare. Prej nëntorit të vitit 2019, kur është inauguruar, stadiumi është shndërruar në një pikë referimi dhe qendër e rëndësishme që grumbullon çdo ditë rreth objekteve të tij, me qindra e mijëra persona dhe shumë turistë të huaj, të cilët popullojnë ambientet rreth tij, nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të natës. Dhe kjo në shtatë ditët e javës dhe jo vetëm, ditët e eventeve sportive.

Avantazhet që jep stadiumi

Në sqarimin e FSHF-së thuhet se të drejtat e emërtimit për Stadiumin Kombëtar, ofrojnë një platformë unike, për të përforcuar dukshmërinë, rritjen e popullaritetit të markës tuaj dhe për të angazhuar një audiencë shumë të gjerë dhe të apasionuar. Partneri i suksesshëm do të përfitojë nga: Ekspozimi i gjerë mediatik: Stadiumi pret aktivitete me profil të lartë, përfshirë ndeshjet e futbollit të ekipeve kombëtare, ndeshjet kombëtare me profil të lartë, garat ndërkombëtare sportive dhe ngjarjet kulturore, duke tërhequr një mbulim të konsiderueshëm mediatik brenda dhe jashtë vendit.

Avantazhe të tjera tregtare dhe sociale

Integrim i plotë i markës brenda stadiumit, përfshirë tabela të dukshme, ekrane digjitale dhe marka në bileta, tabela në flesh zona, sallat e konferencave të shtypit dhe zonat mix (ku zhvillohet i gjithë procesi i intervistave të cilat transmetohen jo vetëm live gjatë zhvillimit të eventit, por edhe më pas në të gjitha edicionet informative, në emisionet e tjera, që i bëjnë jehonë eventit). Kjo garanton shikueshmëri të lartë dhe siguron dukshmëri të gjerë të markës. Angazhim me një komunitet shumë të madh online, përmes kanaleve digjitale të stadiumit dhe sidomos atë të FSHF dhe ekipit kombëtar, përfshirë përmbajtje të bashkë-markuar dhe aktivitete interaktive me tifozët.

“Shijoni paketa VIP, akses në vendet premium dhe mundësi për të organizuar evente korporative, duke ofruar një mjedis unik për rrjetëzim dhe argëtim klientësh. Lidhuni me komunitetin lokal përmes përfshirjes në programe për zhvillimin e të rinjve, projekte sportive të nivelit bazë dhe aktivitete të tjera të fokusuara në komunitet, duke demonstruar përkushtimin tuaj ndaj përgjegjësisë sociale. Një marrëveshje afatgjatë ofron dukshmëri të vazhdueshme të markës dhe lidhje me trashëgiminë e stadiumit. Në fund të fundit, stadiumi është një pjesë e rëndësishme e historisë dhe sa më afatgjatë të jetë bashkëpunimi aq më shumë rritet vlera e emrit”, shkruan FSHF, e cila ka dhënë edhe detaje të tjera se si mund të aplikohet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here