“Tërmet” te Franca, Deshamps lë jashtë Kombëtares Kilian Mbape

0
24

“Tërmet” ndodhi te Franca pas publikimit të listës së përfaqësueses nga trajneri Didier Deshamps. Superylli i Realit të Madridit Kilian Mbape, nuk është ftuar edhe për ndeshjet e nëntorit nga trajneri në ekipin kombëtar francez. Mbape, i cili mungoi edhe në tetor, nuk është thirrur as për ndeshjet e këtij muaji. Franca më 14 nëntor luan kundër Izraelit, ndërsa më 17 nëntor ndaj Italisë. Te Franca janë rikthyer Adrien Rabiot, N’Golo Kante si dhe Dajot Upamecano. Për herë të parë është ftuar portieri i Lilës, Lukas Çevalier. Por lënia jashtë e kapitenit të Francës ka ngjallur reagime të shumta në Francë. Përzgjedhësi Deshamps ka thënë se merr përgjegjësinë për të mos e ftuar sulmuesin e Real Madridit.

“Kam biseduar me të dhe kam marrë këtë vendim për këtë grumbullim, sepse mendoj se është më mirë kështu”, ka thënë Deshamps në konferencën për medie, pasi zbuloi emrat e 23 lojtarëve për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve. Deshamps ka insistuar se lënia jashtë listës e Francës, nuk ka të bëjë me rastin e tij të hapur për përdhunim. “Unë nuk dua të debatoj. Unë mund t’ju them dy gjëra. E para është që Kilian Mbape donte të vinte. E dyta është se nuk lidhet me situatën e tij, pasi pafajësia ekziston dhe duhet të ekzistojë. Është vendimi im, sepse mendoj se është më mirë kështu. Nuk dua t’ju them më shumë, unë marr përgjegjësinë për këtë vendim”, ka theksuar Deshamps. Kilian Mbape muajin e kaluar u raportua në polici si i dyshuar për përdhunim në një hotel në qendër të Stokholmit.

Sipas medieve në Suedi, paditësja, një grua, ka kërkuar mjekim dhe ka veçuar yllin francez të futbollit si autor. Lojtari i Real Madridit, Kilian Mbape bëri një vizitë të shkurtër në Suedi muajin e kaluar. Pas dy ditësh qëndrimi në Stokholm, ai u largua me një avion privat. Policia përpiloi një kallëzim përdhunimi dhe Kilian Mbape ishte i dyshuar në mënyrë të arsyeshme, shkalla më e ulët e dyshimit. Mbape i pati cilësuar si të rreme lajmet e medieve në Suedi. Ndërkohë, ish-sulmuesi francez, Tierri Henri, ka lëshuar kritika të forta për Mbape.

“Unë mendoj se ekipi është i zhgënjyer me të (Mbape), gjë që mund ta kuptoj, nuk është e lehtë. Ne duhet t’i japim atij kohë, por në të njëjtën kohë ai duhet të mësojë të luajë si një numër 9, të ketë dëshirën dhe vullnetin për të projektuar veten. Është pothuajse gjithmonë Bellingam ai që përpiqet të vrapojë, të bëjë skuadrën të luajë. Ndërkohë, që Mbape është si spektator, është dembel nuk merr pjesë në manovrën e lojës së ekipit”, nënvizoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here