Merrnin para për të kaluar studentët në provime, Prokuroria jep detajet për pedagogët e arrestuar

0
25

Prokuroria e Elbasanit ka dhënë detaje ditën e djeshme nga hetimi i skandalit të korrupsionit në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Ciklit të Ulët, për të cilin u arrestuan 6 pedagogët dhe sekseri i dyshuar, që ishte bashkëshorti i një prej pedagogeve, teksa një tjetër është në kërkim. Organi i akuzës sqaroi se më 1 nëntor ka regjistruar procedimin penal nr.1362/2024 me të dhëna për veprën penale të “shpërdorimi detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Denoncimi është bërë nga qytetari me inicialet A.Ll., ku referuar edhe transmetimit nga një emision televiziv, ishin dhënë shuma parash te i dyshuari si sekser Gazmend Hodaj, me qëllim kalimin e një studenteje në provimet e sezonit të vjeshtës, në Fakultetin e Ciklit të Ulët në Universitetin e Elbasanit. Pasi ka marrë kallëzimin, Prokuroria ka zbarkuar në Universitet, ku janë administruar dhe këqyrur pamjet filmike të vëna në dispozicion prej qytetarit, por edhe janë pyetur personat që kishin dijeni.

Detajet

“Nisur nga interesimi mbi ngjarjen e datës 01.11.2024 ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr.1362/2024 me të dhëna për veprën penale të “Shpërdorimi detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në këtë datë është paraqitur shtetasi A.Ll, dhe ka bërë kallëzim penal për veprën penale të “Shpërdorimi detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Konkretisht sipas kallëzimit, gazetarët investigativë të emisionit “STOP”, kanë dhënë shuma lekësh tek shtetasi G.H, me qëllim kalimin e një studenteje në provimet e sezonit të vjeshtës në Fakultetin e Ciklit të Ulët në Universitetin e Elbasanit.

Është marrë kallëzim dhe deklarime shtetasve që kanë dijeni, janë administruar dhe kqyrur pamjet filmike të vëna në dispozicion prej tij. Menjëherë në vijim të veprimeve hetimore të kryera janë bere kontrollet e banesave dhe sekuestrimet e provave materiale si dhe shoqërimi i personave në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Është shkuar në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, si dhe ne Fakultetit e Ciklit te Ulet ne Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ku është ushtruar kontrolli dhe është bërë sekuestrimi i dokumentacionit në lidhje me rastin korruptiv.

Është administruar me procesverbal këqyrje marrje në Sekretarinë e Fakultetit të Ciklit të Ulët dokumentacioni për secilën nga lëndët mësimore që studentja ka dhënë si provime të mbartura në sezonin e vjeshtës (muaji Shtator 2024). Në veprimet hetimore të kryera është krijuar dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Gazmend Hodaj, ka konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 259/1 dhe 25 të Kodit Penal, ndërsa shtetasit M.H., F.T., B.G., A.Sh., Z.G., O.B., dhe E.G. kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës” , e parashikuar nga neni 259/1-25 dhe 248 të Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan falënderon dhe vlerëson emisionin investigativ “STOP” për referimin e rastit dhe besimin tek organet e drejtësisë, si dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar në hetimin e rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here