Monika Kryemadhi doli garante për të zënë vendin e Metës në burg, madje konsideroi edhe Genci Gjokutaj avokat “jo serioz” teksa doli nga Gjykata pas konfirmimit të masës së sigurisë. Avokati i Ilir Metës, i ftuar dje në një media, e quajti atë deklaratë si një “humor të papërshtatshëm”, ndërsa theksoi se ishte një deklarim emotiv i saj. “Ishte një humor i papërshtatshëm sepse nuk kam tagrin të bëjë kërkime për Monika Kryemadhin. Ishte një deklarim emotiv i saj, ashtu e ka menduar. Kryemadhi, e para, ndihmon veten. Ajo ndihmoi veten pasi ka të njëjtën pozitë proceduriale. Ajo tha një të vërtetë që përputhet me të vërtetën dhe deklaratat e Metës”, deklaroi ai. Sakaq i pyetur nëse Monika Kryemadhi i ka kërkuar asistencë ligjore, avokati deklaroi se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
“Nuk më ka kërkuar asistencë ligjore sepse ajo ka mbrojtësit e saj dhe kam edhe një konflikt interesi në kuptim të ligjit, pasi nuk mund t’i mbrojë njëkohësisht të dy pasi kanë qëndrime të ndryshme. Nesër qëndrimi mund të ndryshojë dhe këtë nuk e lejon ligji”, u shpreh ai. Ndërkohë avokati Genc Gjokutaj ka folur për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. Gjokutaj tregon edhe gjendjen e tij shëndetësore, për të cilën është aluduar shumë gjatë 2 javëve që Meta është duke qëndruar në qeli. Gjokutaj tregoi se ka përgatitur kallëzim penal lidhur me mënyrën e arrestimit të ish-presidentit. Ndërsa për gjendjen shëndetësore të Metës, avokati shprehet se kreu i PL nuk ka luhatje humori dhe ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Nesër plotësohet dy javë nga dita e ekzekutimit barbar të atij vendimi, për të cilin ne kemi përgatitur një kallëzim penal. I kam dëgjuar këto atribuime të mediave, portale. Me përgjegjësi ligjore dhe morale, iu them se nga pikëpamja shëndetësore nuk ka asnjë lloj problemi, nuk ka as luhatje të humorit. Këto janë disa atribuime të shtypit që kanë dalë në momentet e para kur ka shkuar një avokat i paautorizuar që zoti Meta e ka përzënë.
Ka shkuar një avokat i paautorizuar nga askush. Unë shkova menjëherë në drejtorinë e policisë ku ndodhej Meta dhe e kam ndjekur edhe në vazhdim”, deklaroi ai. Më tej, Gjokutaj tha se është bërë gati kallëzimi penal për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës. “Kemi përgatitur kallëzimin penal për personat që janë përgjegjës, ministri i brendshëm, drejtori i policisë. Kallëzimi duhet të përmbushë, duhet të dokumentojë faktin që ka ndodhur.
Prokuroria është e detyruar të identifikojë personat. Nëse ne bëjmë kërkesë do të na thonë janë sekret, të dhënë të klasifikuara, por prokurori është i detyruar të kërkojë dokumentacionin e plotë të atij operacioni. Arrestimi i Metës është mesazh për ta denigruar. I ngjajnë atyre aksioneve antimafia në Itali. Këto bëhen kur operacioni është i rrezikshëm dhe mund të godasë me armë”, nënvizoi Gjokutaj.