Situata për ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Noka është bërë gjithnjë e më e tensionuar, teksa SPAK po finalizon hetimet e dosjes së tij voluminoze me koncensionin 500 milionë euro të pasaportave dhe pasuritë marramendëse të deputetit që nuk u dihet burimi. Burime bëjnë me dije se SPAK ka gjetur prova që lidhen me veprimtarinë e dyshimtë financiare të Flamur Nokës. Dëshmitarë dhe dokumente të ndryshme që janë shqyrtuar nga hetuesit, kanë zbuluar transaksione financiare që dyshohet se janë të lidhura me pastrim parash. Analiza e këtyre transaksioneve ka nxjerrë se Noka ka pasuri të padëshmuara.
Telashe për Flamur Nokën i paralajmëroi dje dhe juristi Edmond Petraj. “SPAK-u ka filluar procedimin për hetimin pasuror të Flamur Nokës. Noka shumë shpejt mund të përballet me një situatë të pakënaqshme”, tha ai i ftuar në një studio televizive. Përveç dosjes që çoi avokati Idajet Beqiri në SPAK në muajin mars të këtij viti për ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Nokën e denoncoi vetë Gazment Bardhi. Ai i përmendi edhe një vilë 760 mijë euro, e cila është hetuar nga SPAK.
Denoncimi i Bardhit
Duke përmendur Flamur Nokën, Bardhi shkruante: Një përgjigje e detyruar për Flamurin e keqpërdorur të opozitës së rreme. Shumë miq më thonë të mos e marr seriozisht Flamur Nokën për shpifjet që shpërndan herë pas here. Por nuk do të hesht më pas serialit të ri të shpifjeve, të nisur ditët e fundit ndaj meje dhe disa kolegëve të tjerë. Ndryshe prej tij, ne nuk kemi ngritur flamurin e opozitarizmit të rremë. Kur denoncojmë korrupsionin dhe paligjshmërinë nuk selektojmë në “tanët” dhe “të tyret”. E kuptoj që kjo e shqetëson Flamur Nokën, prandaj ka gjetur një shpifje të re ndaj meje, duke më akuzuar se denoncoj oligarkët për t’u vendosur gjoba atyre!!!
Le t’i marrim me radhë dhe e nisim nga denoncimi im i fundit për të cilin grupimi i Flamur Nokës nuk ka hapur gojën akoma. Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? I kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë! Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje. Nga personi që akuzoi demokratët e Kukësit se ishin të orkestruar nga Edi Rama për protestat kundër traut të Kastratit në Rrugën e Kombit dhe bëri çdo gjë për shuarjen e tyre, mund të presësh gjithçka. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, oligarkut të farmaceutikës pas emrit të të cilit Flamur Noka fsheh vilën e padeklaruar 760 mijë euroshe në Gjirin e Lazit? Meqë edhe atë e takon çdo fundjavë, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë ndonjëherë.
Dhe kur ta pyesë, Flamur Noka bën mirë të kujtohet sa herë ka ndërhyrë për të që Partia Demokratike të mos e përfshinte në denoncimet për abuzimet me tenderat në shëndetësi. Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajtshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë. Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit. Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë.
Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve. Investimi im kryesor është tek dija. Nuk kam as vila të fshehura, as para të investuara në bizneset e oligarkëve, as licenca për ndërtim hidrocentralesh dhe, mbi të gjitha, nuk jam peng i asnjë financuesi apo krimineli, që ditën punon me Qeverinë, ndërsa natën financon flamurin e opozitarizmit të rremë. Për Flamur Nokën kam një premtim: sa më shumë të shpifë, aq më shumë të vërteta do jem i detyruar të them!”.
Detajet nga kallëzimi në SPAK për Flamur Nokën
“Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin me nënshkrim prej ish ministrit të Brendshëm Flamur Noka të shtyrjes së kontratës koncensionare edhe me 10 vjet të tjera, në kundërshtim me ligjin dhe me interesat e shtetit shqiptar për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë të mëdha në euro, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij nga paga si ish ministër dhe si deputet. I kallëzuari Flamur Noka ka blerë një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te Diga e Liqenit, Pallati me ngjyrë të kuqe, ne katin e dytë të tij, 190 m2 sipërfaqe ndërtimi si dhe një garazh 70 m2, me vlerën 173.400 euro. Po gjatë kësaj kohe ka blerë dy makina, njëra 40 mijë euro dhe makina tjetër 6 milionë lekë.
Në fakt vlera e pasurisë prej 190 m2 që Flamur Noka ka blerë dhe ka në pronësi te Diga e Liqenit të cilën e ka deklaruar në shumën prej 173 mijë euro, e ka vlerën reale të saj 1 (një) milionë euro. Sikurse theksuam, të ardhurat e Flamur Nokës janë paga e tij prej 6 vjetësh si roje në Selinë e PD-së dhe më pas si ministër i Brendshëm, si dhe paga e bashkëshortes së tij në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pranë Universitetit të Tiranës. Në datën 1 nëntor 2009, Flamur Noka ka përfituar një kredi me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, pjesë e bordit të të cilit ka qenë edhe ai vetë. Kredinë prej 50 mijë euro e ka marrë me afat 25 vjet, me këst mujor 16 500 lekë, duke shpërdoruar kështu detyrën. Me këto para Flamur Noka ka blerë një apartament me sipërfaqe 83.7 m2, në katin e 8 të një pallati brenda ish Bllokut në Tiranë. Në kohën që u bë ministër i Brendshëm Flamur Noka e ka shitur këtë apartament nga 50 mijë euro që e bleu me kredinë si i pastrehë, në 180 mijë euro.
Vila 760 mijë euro
Duke shpërdoruar detyrën në Entin Kombëtar të Banesave, Flamur Noka i ka dhënë vëllait, motrës dhe kunatës së tij 4 apartamente në Sarandë, të cilat në fakt janë pasuri të Flamur Nokës. Ç) Flamur Noka, duke shpërdoruar detyrën e ministrit të Brendshëm dhe të deputetit, disponon një vilë prej 760 mijë euro në Kompleksin “LURA 1”, pranë Vilës luksoze të Sali Berishës. Ai banon në këtë vilë ku ka shtëpinë verore edhe Sali Berisha. Kjo vilë është ndërtuar pikërisht në kohën kur Flamur Noka ishte ministër i Brendshëm dhe bëri krimin e zgjatjet së kontratës së prodhimit të pasaportave dhe të kartave të identitetit edhe me 10 vjet të tjera.
Kjo vilë është ndërtuar pasi fshati turistik kishte përfunduar së ndërtuari, për rrjedhojë është bërë ngushtimi i një pjesë të rrugës-unazë, e cila rrethon fshatin rezidencial, vilë e cila gjendet në hyrje të “LURA 1”, në reshtin e parë anës rrugës. Zyrtarisht kjo vilë në të cilën jeton Flamur Noka, në Gjirin e Lalzit, dhe që është pronari “de fakto” i saj, në Kadastër figuron në emër të biznesmenit Petrit Maho, pronari i kompanisë INTERMED, financuesi kryesor i televizionit të Shkëlzen Berishës“Syri Tv”. Flamur Noka është hedhur në veprim për ta shitur këtë vilë me qëllim të fshehë gjurmët e krimit të pastrimit të produkteve që rrjedhin nga një krim.
Vjedhja që e nxori zbuluar
Në vitin 2014 një grup hajdutësh i përbërë prej Arnold Karaj dhe Donald Vatnikaj, banues në Kodër Kamëz, kanë vjedhur me thyerje vilën e Flamur Nokës, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme eurosh, por që Flamur Noka nuk i ka denoncuar. Këta dy persona janë arrestuar, janë hetuar dhe gjykuar për këtë vjedhje, si dhe për vjedhjen e dy vilave të tjera të A. Ristanit dhe S.Kodrës. Në dosjet gjyqësore penale të këtyre dy personave të dënuar për vjedhjen e vilës së Flamur Nokës ka prova indirekte që vërtetojnë faktin se Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është e Flamur Nokës, rrjedhojë e pastrimit të parave prej tij”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që u depozitua në SPAK në muajin mars të këtij viti.