Ceremonia e dhënies së “Topit të Artë” nga Gazeta e madhe franceze “France Football”, për herë të parë që kur ka nisur dhënia e çmimit për më të mirin e vitit, u bojkotua masivisht nga klubi fitues i Ligës së Kampioneve, për shkak të mospajtueshmërisë për emrin e përzgjedhur si fitues. Reali i Madridit, lojtarët e të cilit ishin kandidatët kryesorë, bojkotoi në shenjë proteste ceremoninë. Në kryeqytetin francez, fitues i këtij çmimi u shpallë ylli i Mançester Sitit, Rodri. Ai la prapa tre lojtarët e Realit të Madridit, Vinicius Junior, Daniel Karvajal dhe Jude Bellingham. Kjo është hera e parë në histori që mesfushori spanjoll e fiton këtë çmim. Ai gjatë sezonit të kaluar e fitoi Premier Leaguen dhe “EURO-n” me Spanjën. Ndërkohë, Herri Kejn dhe Kilian Mbape kanë fituar trofeun “Gerd Mueller” në ceremoninë “Topi i Artë”.
Ky trofe ndahet për golashënuesit më të mirë. Kejn e Mbape i kishin realizuar nga 52 gola në edicionin e kaluar. Kejn ishte në ceremoni dhe pranoi trofeun, ndërsa Mbape, si pjesa tjetër e Real Madridit, nuk ishte në Paris. Ashtu si pritej, talenti i madh i Barcelonës, Lamine Jamal e ka fituar “Trofeun Kopa” në ceremoninë “Topi i Artë”. Ky trofe i ndahet futbollistit më të mirë të ri. Jamali është lojtari i parë më i ri se 18 vjet që e fiton trofeun Kopa. Ky trofe ndahet për futbollistët deri 21 vjet. Jamali shkëlqeu që në moshën 16-vjeçare. Tani është 17 vjeç. Ndërkohë, argjentinasi Emiliano Martinez u shpall portieri më i mirë në ceremoninë e dhënies së “Topit të Artë” në Paris. Ai fitoi trofeun “Jashin” që jepet për portierin më të mirë të vitit. Ai pati konkurrencë të fortë porn ë fund ia doli.
Ai është portier i Argjentinës dhe Aston Vilës. Siç dihet, Martinez u shpall fitues i çmimit edhe vitin e kaluar. Sa i përket suksesit ekipor, Reali i Madridit është shpallur klubi më i mirë në ceremoninë e Topit të Artë që po mbahet në Paris. Reali i Madridit ka fituar Ligën e Kampionëve dhe La Ligën në edicionin e kaluar. Por trofeu nuk është dorëzuar pasi asnjë përfaqësues i klubit spanjoll nuk ishte në ceremoni. Për femra, ekipi më i mirë u shpall Barcelona. Në fakt, Barça fitoi trofetë kryesorë edicionin e kaluar dhe pritej të shpallej më i miri.
Ndër të tjera, Barça fitoi Ligën e Kampionëve, kampionatin spanjoll, kupën dhe Superkupën. Ndërkohë, trajneri më i mirë i vitit është shpallur italiani, Karlo Ançeloti. Veterani i pankinës ka fituar Superkupën e Spanjës, La Ligën spanjolle dhe Ligën e Kampionëve me Realin e Madridit sezonin e kaluar. Sikruse të gjithë njerëzit e Realit, edhe Ançeloti mungoi në ceremoni. Në futbollin e femrave, fituesja e “Topit të Artë” u shpall, Aitana Bonmati, lojtare e Barcelonës, e cila e fiton këtë çmim për herë të dytë në karrierën e saj.