Rigels Seliman
“Oligarku” Samir Mane duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Të paktën kështu mendon kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, teksa komentoi përmendjen e emrit të zotit Mane nga SPAK në dosjen e Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Duke folur në “MCN TV”, zoti Shabani ka bërë një kërkesë të fortë, duke kërkuar që biznesmeni Samir Mane të merret si i pandehur në hetimet që dyshohet se lidhen me përfitimet nga minierat, referuara dosjes “Meta-Kryemadhi”. Kjo kërkesë hedh dritë mbi mënyrën sesi ligji, që dyshohet se ka favore të qarta për “oligarkët”, është hartuar në zyrat e atyre që mbajnë pushtetin ekonomik.
Shabani argumenton se ka prova që e lidhin Manen me “korrupsionin dhe abuzimin e pushtetit”, duke theksuar nevojën që SPAK të veprojë dhe të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë çështje. Madje kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani theksoi se përveç Samir Manes, sipas tij, edhe deputetët që janë korruptuar duhet të japin llogari penale. Ndërkohë Shabani duke cituar “Transparency International” zbuloi se janë afro 50 ligje që janë bërë me porosi dhe nuk janë shkruar në Kuvend. Ai u bëri thirrje deputetëve të ndershëm në Kuvend që të kërkojnë anulimin e këtyre ligjeve. Megjithatë sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Ja prononcimi i zotit Shabani për “MCN TV”
“Çfarë është kapja e shtetit? Kapje e shtetit do të thotë që ne si votues, si qytetarë, si taksapagues, s’kemi asnjë peshë mbi Parlamentin, për ligjet që organizojnë jetën tonë, për ligjet që vendosin sa taksa paguajmë, sa janë pensionet, sa është rroga minimale, por këto vendosen nga grupe interesi. SPAK-u na tregoi që një oligark, Samir Mane ka porositur një ligj që i interesonte atij për shfrytëzimin e burimeve tona natyrore dhe e ka shkëmbyer me një vilë, për deputetët, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, apo të gjithë të tjerët që janë përfshirë në këtë proces. Ndërkohë që të dyja palët duhet të japin llogari penale, korruptuesi dhe i korruptuari, ne na duhet të zhbëjmë efektin që këto ligje kanë.
Transparency International thotë që janë rreth 50 ligje që s’janë shkruar në Parlament. Deputetit i paguajmë 3 milionë lekë në muaj rrogë, i japim 2 milionë ndihmë, benefite dhe ligjet shkruhen te zyra e oligarkëve, shkojnë në Parlament, dhe ata thjesht ngrenë dorën. Shpesh interesat e oligarkëve janë ndesh me interesat e shqiptarëve, ndesh me interesin e shtresës së mesme, ndesh me interesin e Shqipërisë. Prandaj u kemi kërkuar deputetëve të Shqipërisë që s’e kanë shitur votën dhe dinjitetin, që unë besoj se ka, Dashamir Shehi duhet të jetë i pari që duhet ta çojë përpara, znj.Flutura Açka, apo deputetë të tjerë, të cilët duhet të kërkojnë minimumin anulimin e këtyre ligjeve. Ligjet si në rastin e teatrit, ligjet për TVSH-në. Këto ligje duhet të zhbëhen që shoqëria të ecë përpara dhe ekonomia të çlirohet.
SPAK-u na tregoi që oligarkët përdorin shtetin edhe për të vrarë konkurrencën në treg, koston e paguan konsumatori, taksapaguesi. Ligji për investitorët strategjik, me atë ligj sot oligarkët paguajnë zero tatim në fitim, ne u ndërtojmë tunelin, u shtrojmë infrastrukturën, këto para mund të ishin lokalizuar për vepra me interes publik. Nëse rrisim taksat për oligarkët, tatimin për dividentin, TVSH-në për hotelet luksoze, mund ta përmbysim këtë sistem. TVSH-ja për mallrat e shportës të jetë 6 për qind. Parlamenti duhet të zhbëjë pjesën ligjore, Prokuroria, SPAK-u do t’i vendosë përballë përgjegjësisë penale”, deklaroi kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani në “MCN TV”.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se ish-presidenti Ilir Meta u arrestua të hënën në mesditë nga policia me urdhër të SPAK. Pas një hetimi disa-vjeçar ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-Presidentin për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen “CEZ-DIA”, nga një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi të biznesmenit Samir Mane, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.
“Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien”, thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”
































