Partizani barazon me Elbasanin por mban kreun i vetëm në Superiore, Skënderbeu fitore me vlerë ndaj Bylisit

0
39

Adriatik BALLA

Faza e parë e Kategorisë Superiore u mbyll dje me dy takimet e fundit të javës së nëntë. Në këtë xhiro të garës pati lojëra emocionuese por edhe rezultate befasuese, teksa ka lëvizje të shumta në tabelën e renditjes, në pozicionet e skuadrave, për shkak se ka ngjeshje të ekipeve në tabelë si pasojë e rivalitetit të deritanishëm. Kryendeshja e ditës së djeshme ishte ajo mes AF Elbasanit dhe Partizanit, mbyllur në barazim 1-1. Në të vërtetë të kuqtë kishin ambicie për të marrë më shumë, por përballë patën një skuadër që ka befasuar shumë në Superiore, pasi vinte nga Kategoria e Parë dhe pa shumë pompozitet, por në fushën e lojës tregoi se është kockë e fortë dhe këtë e dëshmoi dhe dje përballë “demave të kuq”.

Ndeshja e luajtur dje në “Elbasan Arena” u mbyll baras 1-1 dhe të dyja skuadrat ndanë nga një pikë, por ky rezultat mban Partizanin në vend të parë, i vetëm me 16 pikë në krye të renditjes, ndjekur nga Egnatia, Dinamo me nga 15 pikë, kurse Elbasani mbetet në vend të katërt me 14 pikë. Natyrisht, këto rezultate i kanë ngjeshur ekipet në klasifikim, duke e bërë garën interesante. Faza e parë e kampionatit mbyllet me të kuqtë në vend të parë, ndërkohë që po zhgënjen vazhdimisht Tirana. Sa i takon ndeshjes së djeshme, të kuqtë ishin ata që shënuan të parët, me anë të Zekës, në minutën e 23-të.

Por elbasanasit reaguan shpejt dhe barazuan shifrat brenda pjesës së parë, e pikërisht në minutën e 36-të, me anë të Blaise Tsague. Në pjesën e dytë nuk pati ndryshim rezultati, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, për pasojë në fund si Partizani dhe Elbasani morën nga një pikë. Barazimi i la ekipet të kënaqura për atë që prodhuan në fushën e lojës. Për “demat” mbajtja e kreut të vetëm me një pikë më shumë është dëshmi se pas fazës së parë mund të konsiderohet favoriti kryesor për titullin.

Skënderbeu fiton në transfertë ndaj Bylisit

Ndeshja e parë e luajtur dje ishte ajo mes Bylisit dhe Skënderbeut, që u zhvillua në Ballsh, e që u mbyll me fitoren e korçarëve 1-0, një fitore që i dha skuadrës së Skënderbeut tri pikë të çmuara në këtë rrugëtim të vështirë për mbijetesë sezonale. Për korçarët shënoi Rashica në 10 minutat e fundit të ndeshjes, një gol me shumë vlerë për miqtë po të gjykosh nga pozitat e ekipit dhe nevojën për të pasur pikë.

Me disfatën e djeshme Bylisi bien vend të fundit., me 5 pikë, kurse Skënderbeu me këtë fitore ngjitet i teti me 10 pikë, po kaq sa Tirana e vendit të shtatë “I kishim njohuritë për kundërshtarin që do luante me top të gjatë. Por më vjen keq që në fazën mbrojtëse në situata 2-1 gabonim dhe na sillte panik. Kjo tronditi gjithë skuadrën pastaj çdo lojtar ka marrë pozicion tjetër. Shpërdorojmë shumë. Unë kam marrë një detyrë të vështirë përpara, e di këtë pjesë. E kam thënë që është një skuadër e re me moshë, do kohën e saj, shpërdoruam sot një ndeshje.

Unë mendoj se problemi kryesor është mosha e re, emocionet për të bërë diçka më shumë se munden, solli të gjithë këto gabime për të shënuar me portë bosh apo për të pasuar një top me të brendshmen. Ky është futbolli, të rrimë me kokën lart. Me durim e punë të vazhdojmë për të rritur kapacitetet”, tha ndër të tjera trajneri i Bylisit, Nevil Dede.

Kategoria Superiore/ Java 9

Të shtunën

Dinamo-Tirana            0-0

Egnatia-Teuta              0-0

Laçi-Vllaznia               3-1

Të dielën

Bylis-Skënderbeu        0-1

Elbasani-Partizani       1-1

Renditja

Nr.Ekipi         Pikë

1.Partizani       16

2.Egnatia         15

3.Dinamo        15

4.Elbasani        14

5.Vllaznia        14

6.Teuta            14

7.Tirana           10

8.Skënderbeu  10

9.Laçi              6

10.Bylis           5

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here