Në sfidë me kohën për shkak të përfundimit të afatit, Komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, hyn në fazën më të rëndësishme të tij: dëgjesat me ministra dhe ish-ministrat e Shëndetësisë e Ekonomisë që kanë qenë të përfshirë direkt në procedurat e dhënies së koncesioneve të Sterilizimit dhe Check-Up. Në vetëm 2 ditë, pra sot dhe nesër, ministra e ish- ministra, përfshirë Albana Koçiun, Shkëlqim Canin, Ogerta Manastirliun edhe Ilir Beqajn, nën akuzë për koncesionin e Sterilizimit, por që ndodhet në burg për çështjen e SASPAC, do të dëshmojnë para komisionit. Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si më poshtë: Znj. Albana Koçiu, Znj. Ogerta Manastirliu, Shkëlqim Cani, Admir Daci, Arben Daci, Artan Kalleshi, Altin Fani.
Detajet
Nënkryetari i PS në këtë komision, Plarent Ndreca njoftoi disa ditë më parë se dëgjesat do të nisin prej mëngjesit dhe do të jenë maratonë për të përfunduar brenda afatit. Ajo që nuk dihet, është pjesëmarrja e opozitës. Ndonëse iniciatore e ngritjes së këtij komisioni, pasi akuzon se përmes këtyre dy koncesioneve jo vetëm janë vjedhur para nga buxheti i shtetit, por edhe nuk i janë dhënë shërbimet e duhura qytetarëve, opozita prej disa javësh ka pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve në këtë komision, për shkak të kaosit brenda parlamentit, por edhe ka bojkotuar mbledhjet e thirrura nga Plarent Ndreca me argumentin se janë të paligjshme. Komisioni Hetimor për koncesionet në shëndetësi pritet të mbyllë punën me këto 2 ditë dëgjesa maratonë.
Afati i përfundimit të tij është 22 tetori, por kryetarja e Albana Vokshi ka deklaruar se do të kërkohet shtyrja e afatit për të dytën here, kërkesë që nga socialistët është paralajmëruar se nuk do të pranohet. Komisioni Hetimor për koncesionet në shëndetësi u ngrit pas paktit PD-PS në mars të këtij viti, 6 muaj pasi Partia Demokratike futi në kaos jetën parlamentare. Pakti zgjati pak, pasi në thuajse 8 muaj punë, shpesh puna e komisionit është futur në ngërç për shkak të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët mes PD e PS.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e fundit të komisionit?
Puna e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë po vijon sërish me përplasje mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa afatet mbarojnë më 22 tetor. “Jemi në proces dëshmie, duhet të jenë edhe ata, në një komision që e kanë kërkuar vetë ata, por në mungesë të tyre duhet të ecim para”, tha Plarent Ndreca. Pavarësisht kësaj thirrje të bashkëkryetarit në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, Plarent Ndreca, opozita vijoi mos-bindjen civile. Këtë herë, jo me përplasje, por me bojkot. Teksa Ndreca mbante dëgjesat me dëshmitarët për koncesionin e sterilizimit, bashkë-kryetarja e PD Albana Vokshi doli në një konferencë për mediat duke akuzuar se mbledhjet e thirrura nga PS janë nul. Për këtë, tha se do t’i përgjigjet me padi në SPAK për të, Sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit dhe gardën.
“Pasi është përfunduar orari zyrtar i Kuvendit, është bërë një njoftim, thirrje e mbledhjes së komisionit në mënyrë të njëanshme, e paadresuar kryetarit të kuvendit, vetë e shkruajnë, vetë e thërrasin. Kryetari i komisionit e thërret mbledhjen sipas rregullores. Ata refuzojnë të njohin opozitën në Komision dhe drejtimin e komisionit nga ana e opozitës. Jemi informuar nga përgjigja e kryetares së Kuvendit, mbledhja është thirrur në 10”, tha Vokshi në deklaratë për mediat. Për përplasjet në Komision, Vokshi tha se ka kërkuar përjashtim të 3 deputetëve të PS, Plarent Ndrecën, Ilir Metajn dhe Erjon Braçen. “Nuk kishim ndonjë iluzion që Spiorpali do pranonte ndonjë prej kërkesave, të gjitha janë refuzuar. Duke lënë komisionin hetimor peng në duart e uzurpuesve, Ndreca, Xhoxhi dhe anëtarëve të tjerë të mazhorancës në Komision”, tha Vokshi. Vokshi u ndal sërish në akuza ndaj Ndrecës, duke thënë se sot avokati do marrë në pyetje klientin e tij Arben Gjata. Vokshi i drejton këto akuza, pasi Ndreca para se të bëhej deputet ka qenë avokat i Gjatës.
“Pse e kanë marr peng? Pse e ka uzurpuar Ndreca. Sepse nëse shihni në kërkesën e firmosur nga deputetët e mazhorancës, njëri prej dëshmitarëve është Arben Gjata. Ndreca ka qenë avokati i Gjatës. Është paraqitur në SPAK për të mbrojtur klientin Gjata. Avokati do marrë në pyetje klientin. Sot vërtetohet qëllimi i mazhorancës për të dështuar komisionin hetimor, për të mos bërë trans për 200 mln eurot e vjedhura”, tha Vokshi.