Elmas Bogdani
Aktivistja e njohur Evi Kokalari ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Kokalari ka treguar dy vjedhjet më tragjike që i janë bërë këtij populli nga ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas saj,nëse bëjmë një analizë të përciptë, falë ligjit 7501, toka pas Pallatit të Kulturës iu dha Hajdin Sejdies, dhe sot është në pronësi të atyre që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Shkëlzenin dhe po ndërtojnë Kullën e Malit. Aktivistja bën fajtor Berishën edhe për firmat piramidale.
“Në 80-vjetorin e tij, Sali Berisha tha se nëse do të kthehej në kohë, ligji 7501 nuk do të ishte ky që është dhe se piramidat nuk do të ndodhnin kurrë. Pra, sot, në 80-vjetorin e tij, Sali Berisha pranon dy vjedhjet më tragjike që i janë bërë këtij populli, falë tij vetë; ajo e pronës dhe ato pak para që i kishin mbetur këtij populli për të ndërtuar një jetë të re pas një regjimi të egër komunist.
Por sa i sinqertë është Berisha për çfarë thotë?
Nëse bëjmë një analizë të përciptë, falë ligjit 7501, toka pas Pallatit të Kulturës iu dha Hajdin Sejdies, dhe sot është në pronësi të atyre që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Shkëlzenin dhe po ndërtojnë Kullën e Malit. Nëse Berisha vërtet do të penduar, atëherë pse shiti zgjedhjet e majit 2023 për lejen e ndërtimit të kësaj toke të përfituar direkt nga ligji 7501? Dhe nëse Berisha do të ishte penduar për piramidat, atëherë pse sot e kësaj dite drejton Ylli Rakipin, që e ngriti profesionalisht falë piramidave, të bëjë sulme absurde ndaj personave që Berishës i kanë dalë në krah në ditën e tij më të zezë?
Sali Berisha nuk është penduar aspak, sepse po të ishte penduar, nuk do ta mbante demokracinë dhe opozitën peng për të shpëtuar veten pikërisht nga korrupsioni i përfituar falë këtyre ligjeve. Ai do të kishte hapur rrugën dhe do të kishte lënë ata që kanë aq integritet sa të bëjnë politikë të pastër dhe ata që kanë këllqe të heqin qafe Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Gëzuar 80-vjetorin, Sali Berisha. Mbetesh ujk i vjetër. Kaq e kisha konstatuar që në takimin tonë të parë. Gjithsesi, urimi më i mirë që mund t’ju jepja sot është “PENSION të mbarë”, por kam frikë që ti s’do na lesh të marrim frymë deri sa ti të marrësh frymën tënde të fundit”, shprehet Evi Kokalari.
Çfarë ndodhi në ditën e ditëlindjes së Berishës?
Sali Berisha kujtoi disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij, duke u ndalur më gjatë në vitin 2021, ku dhe u shpall non grata nga SHBA. “Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare. Në këtë kontekst, mendoj se me veprimtarinë time është ky një nga shërbimet më të mëdha që e bëj për kombin tim që unë e adhuroj”, u shpreh Berisha. Tregoi dhe pengjet e jetës, duke rrëfyer se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të kthehej pas në kohë. “Nëse do të kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do ishte ky që është sot.
Nëse do të kthehesha në kohë piramidat nuk do të ndodhnin kurrë”. Por surpriza më e hidhur për liderin demokrat në ditëlindjen e tij erdhi nga SPAK. Prokuroria e Posaçme e bëri Berishën, pushtetarin e parë në rangun e ish-kryeministrave që përballet me drejtësinë në rrafshin penal. Pas një hetimi 4-vjeçar, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim 5 të pandehur, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe financierja Andia Pustina. Tashmë dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila do duhet të vendosë brenda 10 ditëve nëse kalon ose jo për gjykim.