Rigels Seliman
Ish-gardisti Paro Laçi, një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha tregoi dje ngjarje të pazbardhura më parë, të ndodhura në vitin e mbrapshtë të 1997. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, Paro Laçi zbuloi se Sali Berisha kishte planifikuar vrasjen e kryeministrit të asaj kohe, Bashkim Finos. Sipas tij, se nëse Bashkim Fino do të futej në Shkodër, me e urdhër të Sali Berishës ishte planifikuar vrasja e tij.
“Sali Berisha ka dhënë urdhër, kam qenë në Kurbin, nëse Bashkim Fino do hynte në Shkodër do ekzekutohej. Ka qenë një plan i mirëfilltë. U dha urdhri i Berishës, nëse do tentonte dhe do kalohej Bushati. Në Mamurras ka tentuar të vrasë Fatos Nanon, ka qenë i shoqëruar me grup të madh njerëzish. Flasim për ‘97. Bashkim Fino ka qenë plan i mirëfilltë. Të dalin çunat Bushatit dhe të pranojnë urdhrat e Berishës me djeg Laçin, kanë vdekur njerëz në ‘91. Janë gjithë këto krime që rëndojnë mbi Berishën”, deklaroi ai.
Zgjedhjet e ’96
Më tej Paro Laçi flet edhe për zgjedhjet e vitit 1996, ku thotë se Berisha i ka vjedhur votat me armë. “Fondi monetar u largua nga Shqipëria dhe Berisha votimet e ‘96 i ka marrë me armë. Kemi shkuar në komisione u kemi bërë presion me armë dhe komisionerët e PS janë tërhequr. Kam qenë vëzhgues edhe në Pezë, jam përplasur me Mustafa Cekën. Ne si përkrahës të Berishës, i kemi vjedhur në 96 votat me armë, kemi nxjerrë pistoletën në zonat e votimit në disa raste. Të vërtetat qoftë edhe vonë duhet të thuhen. Urdhri ishte i Berishës, nuk mund të bëhej asgjë pa urdhrin e Berishës.
Berisha humbi në ’94, dihej që nuk fitonte dhe u bë ajo kasaphanë në votime”, u shpreh ai. po ashtu, ish-gardisti Paro Laçi zbuloi se Sali Berisha në vitin 1996 ka urdhëruar disa herë pengmarrjen e Azem Hajdarit. Madje Paro Laçi thotë se Berisha donte ta vriste. “Është tentuar të merret peng Azem Hajdari në ‘96. Njëherë te Rogner kam qenë vetë prezent që i kam ndaluar. Do merrej peng dhe nuk e di ku do çohej, një rast tek qyteti studenti, ku janë godinat tek 21 dhjetori. Ka qenë Flamur Noka, si student me Azem Hajdarin, kam qenë prezent që se kam lejuar atë grup. Njëherë pas muzeut, ku ndërhynte edhe e shoqja, bëri pak debat dhe unë largova çunat që kishin ardhur për ta marrë peng. Do ta merrnin peng për ta vrarë”, tha ai.
Zhdukja e Remzi Hoxhës
Ndërkohë, ish-gardisti Laçi flet edhe për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, më 21 tetor 1995. Laçi pretendon se Hoxha është eliminuar me urdhër të Berishës dhe hedh dyshime se trupi i tij mund të jetë hedhur në det. “Kjo ka qenë një ndër urdhrat që Berisha ka dhënë. E ka dhënë Berisha urdhrin për kapjen, flitej se ka pasur një kasetë. SPAK po të dojë mund të gjejë gjurmë të skafit të Berishës. Ka udhëtuar pa qenë Berisha brenda nga Durrësi deri në Lezhë dhe në bazën sekrete që ka pasur shik është zhdukur i ndjeri Remzi Hoxha. Ka lëviz skafi i presidentit vetë dhe s’ka pas arsye përse me lëviz pa presidentin, librat detare nga porti në port duhet të kenë lenë gjurmë”, nënvizoi dje ish-gardisti Paro Laçi, një nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha.