Dy motrat Antonela dhe Mariela Berisha, dy muaj pasi u shpallën në kërkim nga ana e policisë për rrahjen e Klea Prengës, janë vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanwebse motrat Berisha janë vetëdorëzuar rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme.
Kujtojmë se Klea Prenga u dhunua në mënyrë barbare nga motrat Berisha, teksa darkonte në një restorant në Tiranë, më datë 6 gusht 2024. Teksa Prenga ka qenë duke ngrënë, motrat Berisha e kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë, duke i shkaktuar dëme të shumta shëndetësore.
Dy motrat Antonela dhe Mariela Berisha akuzohen nga forcat blu për “plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”. Policia ka prangosur Mariela Berishën, pasi gjykata kishte vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërsa, gjykata kishte vendosur masën “arrest shtëpie” për motrën tjetër, Antonelën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:
Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policisë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B.
Materialet i kaluan Prokurorisë.