Teksa po kryen hetime për verifikimin e pasurisë, ndaj tre vëllezërve Merkaj nga Berati, që janë të lidhur ngushtësisht me Franc Çopjan, SPAK ka zbuluar një seri kontratash që bëjnë fjalë për shitje-blerje, qira, kontrata porosie dhe kontrata të amenduara me persona të ndryshëm në Tiranë dhe jo vetëm.
Hetimet disa mujore të nisura ndaj vëllezërve Astrit Merkaj, Endri Merkaj, Klajdi Merkaj, kanë zbuluar dhjetëra pasuri luksoze që shtrihen në Tiranë, Berat, e deri në vijën bregdetare të Sarandës, ku vëllezërit Merkaj zotërojnë një kullotë. Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se mes kontratave që ndodhen në dosjen e SPAK, është edhe ajo e firmosur mes Endri Merkaj dhe biznesmenit të dënuar për vjedhje në Belgjikë, Elman Abule, i vënë nën hetim pasurur nga prokuroria e Tiranës së bashku me Kristjan Boçin.
Të dy këta persona, janë lidhje e ngushtë e trafikantit të drogës, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, i cili qëndron në Dubai. Ndërsa nga ana tjetër vëllezërit Merkaj nga Berati, janë lidhje e ngushtë e vëllezërve Çopja nga Elbasani, por me qëndrim në Dubai, të shpallur në kërkim së fundi nga prokuroria e Posaçme SPAK, për një seri vrasjesh dhe tentativash për të kryer krime.
Mes Abules dhe Merkaj, në 21 dhjetor 2021 është lidhur një kontratë porosie për blerjen e një objekti të quajtur “Vila Single A2” me sipërfaqe ndërtimi 334 m2 ndërsa sipërfaqja totale e parcelës është 550 m2. Super vila ndodhet në kompleksin luksoz “Mandarine Drive”, rezidencë kjo që është ndërtuar nga kompania e ndërtimit “Merkaj 3”. Vila është blerë nga Elman Abule, përkundrejt shumës prej 480 mijë eurove. Hetimi ka zbuluar se 1 ditë pas firmosjes së kontratës, në 22 dhjetor 2021, Elman Abule, ka paguar cash në llogarinë e kompanisë “Merkaj 3” shumë prej 100 mijë euro. Për këtë sasi euro, prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë dokumente për burimin e të ardhurave, që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë prej 100 mijë euro.
Ndërsa pagesat kanë vijuar në 21 shkurt 2022, ku Elman Abule përmes kompanisë së tij “Rametal”, ka derdhur në llogarinë e tre vëllezërve Merkaj, shumën prej 200 mijë euro. Pagesat kanë vazhduar në 10 Gusht me 30 mijë euro. Në 11 Gusht me 40 mijë euro dhe në 16 Gusht me pagesën prej 30 mijë euro. Të tre këto pagesa janë kryer përmes llogarisë së kompanisë “Rametal”. Ndërsa në 20 shtator 2022, Elman Abule, ka paguar 80 mijë euro, duke përmbushur kështu shumën prej 480 mijë euro për blerjen e “Vila Single A2” në kompleksin luksoz “Mandarine Drive”.
Ndërkohë një tjetër vilë luksoze të quajtur “Big Tëin” me sipërfaqe të përgjithshme prej 171 m2, Elman Abule dhe gruaja e tij, Marisa Nito, e ka blerë kundrejt vlerës prej 370 mijë euro në kompleksin luksoz “Green Coast”. Një tjetër vilë, çifti Abule dhe Nito, ka blerë kundrejt një vlerë prej 170 mijë euro në zonën e “Kodra e Diellit” të ndërtuar nga kompania private “Agi Kons”. Ndërsa dy apartamente dhe një post parkimi Marisa Nito, ka blerë në rezidencën “Garden Building”.