Gjimshiti shqetëson Silvinjon, dëmtimi në ije rrezikon ndeshjet në Ligën e Kombeve

0
30

Adriatik BALLA

Kombëtarja kuqezi do të luajë dy ndeshje vendimtare në transfertë në mesin e këtij muaji, konkretisht ndaj Republikës Çeke më 11 tetor dhe ndaj Gjeorgjisë më 14 tetor. Natyrisht, janë ndeshje të vështira, të dyja në fushat e kundërshtarit dhe do të jetë e vështirë të merret maksimumi. Por trajneri Silvinjo i beson grupit dhe shpreson që të mos ketë probleme me dëmtimet e mungesat, por të ketë në dispozicion një skuadër sa më në formë dhe cilësore. Megjithatë, kapiteni Berat Gjimshiti ka shqetësuar jo pak pas ndeshjes në Champions të mërkurën. Ai ishte një nga protagonistët e fitores së Atalantës në Ligën e Kampionëve, ku mundi me rezultatin 0-3 Shakhtar Donetsk, me kapitenin e Kombëtares shqiptare që realizoi golin e parë të sfidës. Gjithsesi, pas përfundimit të pjesës së parë, 31-vjeçari nuk u hodh më në fund, duke u zëvendësuar nga Pasalic.

Siç raporton “Sky Sport”, Gjimshiti ndjeu dhimbje të lehta në ije, me trajnerin Gasperini që preferoi mos ta rrezikonte atë. Kjo gjë ka sjellë panik në kampin shqiptar, vetëm një ditë përpara publikimit të listës nga Silvinjo për duelet me Republikën Çeke dhe Gjeorgjinë në Ligën e Kombeve, të cilat do të luhen më 11 dhe 14 tetor. Gjimshiti nuk ishte pjesë e dy ndeshjeve të para me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, sërish për shkak të një dëmtimi që mori vetëm pak ditë përpara grumbullimit dhe nëse kjo gjë ndodh sërish, atëherë do të jetë një problem tejet i madh për Silvinjon dhe stafin e tij, i cili duhet të bëjë pa një nga pikat kyçe të skuadrës.

Kualifikueset e Europianit U-17, FSHF cakton stadiumet e ndeshjeve

FSHF po përgatitet për organizimin e ndeshjeve kualifikuese të grupit të 3-të të raundit të parë të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17. Gjashtë ndeshjet e këtij grupi do të luhen në Shqipëri, në datat 9,12 dhe 15 tetor dhe gjithçka do të organizohet nga FSHF nën mbikëqyrjen e UEFA-s. Në këtë grup bën pjesë Kombëtarja shqiptare U-17, që drejtohet nga trajneri Andrea Tedesko si edhe përfaqësueset e Holandës, Kroacisë dhe Ishujve Faroe. Pas dakordësimit me UEFA-n, janë vendosur edhe stadiumet dhe janë përcaktuar oraret kur do të luhen këto përballje. Më 9 tetor do të luhen ndeshjet e para të grupit. Shqipëria do të zhvillojë takimin e parë në stadiumin “Air Albania” në ora 15:00, ndërsa sfida Holandë – Ishujt Faroe do të luhet në ora 11:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Tre ditë më vonë, më 12 tetor do të luhen ndeshjet e dyta të grupit 3. Kuqezinjtë do të presin Holandën në stadiumin kombëtar “Air Albania”, me sfidën e planifikuar të luhet në ora 15:00 ndërsa në ora 11:00 në “Shtëpinë e Futbollit” do të luhet ndeshja Kroaci – Ishujt Faroe.

Takimet e treta dhe të fundit të grupit do të luhen më 15 tetor në të njëjtën orë, 13:30. Sfida Ishujt Faroe – Shqipëri do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena” ndërsa ndeshja Kroaci – Holandë do të zhvillohet në Shtëpinë e Futbollit”. Finalet e këtij kompeticioni do të zhvillohen në Shqipëri në majin e vitit 2025, një ngjarje që organizohet nga FSHF dhe UEFA, teksa kanë nisur prej kohësh përgatitjet. Kombëtarja shqiptare është e kualifikuar automatikisht në finalet e këtij kompeticioni si vend pritës, ndërsa shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten skuadrës shqiptare në këto finale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here