Në GJKKO u zhvillua këtë të mërkurë seanca gjyqësore për ish-policin Santiago Malko, personin e afërt të Ervis Martinaj, i cili u vra nga grupi kriminal rival i drejtuar nga Leonard Duka.
Duka u paraqit për herë të parë në seancë, pasi u ekstradua nga Belgjika më 2 gusht të këtij viti.
Gjatë seancës, mamaja e Santiago Malkos shpërtheu në lot dhe në një gjendje të rënduar emocionale iu drejtua Leonard Dukës: “O masakara, më vrave djalin 25 vjeç, o qen. Si del ti aty??”
Ndërkohë, Duka tha se do t’i jepte deklaratat e tij pasi të njihej me aktet, duke kërkuar më shumë kohë.
Prokurori Behar Dibra e quajti këtë kërkesë të padrejtë, duke theksuar se ata kishin rënë dakord për të folur sot.
Në përgjigje, mamaja e Santiago Malkos kërkoi dënim maksimal: “Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje.”
Gjyqtarja Rudina Palloj theksoi se kërcënimet janë të ndaluara në sallë. Gjykata vendosi t’i jepet Dukës kohë për të u përgatitur. Avokatja e tij tha se nuk ishin gati sot, por do të vazhdonin në seancën e ardhshme kur klienti të ishte gati të përgjigjej.
Leonard Duka, gjatë seancës gjyqësore, e akuzoi prokurorin si të korruptuar.
Ai shprehu shqetësimin se prokurori po kërkonte ta dënonte pa prova dhe e inkurajoi atë të bënte detyrën e tij pa u ndikuar nga krimi i organizuar.
Seanca për Leonard Dukën është shtyrë për më 24 tetor në orën 12:30. Në fund të seancës, mamaja e Santiago Malkos u ngrit nga vendi dhe iu drejtua kafazit ku ndodhej Duka. Intervenimi i sigurisë ishte i nevojshëm për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.