Paraqitja e kuqezinjve, Mitaj, Bajrami e Uzuni me performancën më të mirë

0
39

Adriatik BALLA

Kuqezinjtë po bëjnë paraqitje të mira me skuadrat e tyre në Europë. Në fundjavën që lamë pas ata ishin dëshmitare në fushë me performancën e tyre, ku një pjesë luajtën titullarë e në parametra shumë të mirë, e një jesh e kapërcyen këtë, duke spikatur me gola dhe asiste. Padyshim , jo të gjithë gëzojnë formën optimale në prag të dueleve të nëntorit në Ligën e Kombeve, por trajneri Silvinjo ka marrë sinjale pozitive nga disa futbollistë dhe e ka të qartë strategjinë që do të ndjekë në duelet e radhës në transfertë kundër Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë. Këto dy ndeshje janë përcaktuese për objektivat e skuadrës në këtë edicion të Nations League, pasi luhen në transfertë dhe paraqesin vështirës. Por nëse skuadra arrin të fitojë në këto dy takime, atëherë afrohet me objektivin final, që është ngjitja në Divizionin A të Ligës së Kombeve dhe merr një shans në “play-off” për kualifikim në finalet e Botërorit të vitit 2026. Gjithçka mbetet e hapur, por marrja e pikëve të plota në dy transfertat e radhës shihet shumë e vështirë për kuqezinjtë e Silvinjos.

Bajrami në top-formë tek Rejnxhërs, Seferi shkëlqen në Turqi

Legjionarët kuqezi kanë mbyllur një tjetër javë pozitive me klubet e tyre që aktivizohen jashtë vendit, teksa disa kanë lënë gjurmë me gola e asiste. Nedim Bajrami shënoi golin e tij të parë në UEFA Europa League me skuadrën e Rejnxhërs. Futbollisti kuqezi gjeti rrugën e rrjetës që në sekondën e 55-të të ndeshjes, duke ndihmuar ekipin e tij për të arritur fitoren ndaj Malmo. Në fund takimi u mbyll 2-0 për Rejnxhërs dhe Nedim Bajrami u zgjodh lojtari i ndeshjes me notën 8.9 nga sajti i specializuar për statistika sofascore. Taulant Seferi vazhdon paraqitjet pozitive në Turqi, duke shënuar golin e dytë radhazi me Bodrumspor. Në fitoren 3-1 ndaj Adana Dermispor, sulmuesi kuqezi shënoi golin e dytë për skuadrën e tij dhe humbi një penallti.

Shpendi spikat në Serie B, Uzuni sërish lider te Granada

Ndërkohë, në Itali ku luan kontigjenti kryesor i lojtarëve të Kombëgtares, ka një vëmendje të shtuar për kuqezinjtë dhe kjo vëmendje vjen pikërisht nga stafi teknik i kryesuar nga trajneri Silvinjo. Kështu, në Serinë B italiane, Kristian Shpendi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Mantova. Në fund Çezena triumfoi 4-2 dhe ky ishte goli i katërt në kampionat deri më tani për sulmuesin kuqezi. Protagonist me klubin e tij këtë fundjavë ishte edhe Myrto Uzuni, i cili në barazimin 2-2 të Granada në transfertë ndaj Burgos dha një asist për golin e parë të shënuar nga Tsitaishvili.

Labinot Bajrami, “ylli” i ri shqiptar në superligën e Zvicrës

Labinot Bajrami ka gjetur golin e dytë në Superligën zviceriane këtë sezon. Sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e dytë radhazi që aktivizohet titullar me Uinterthur. Kësaj here viktima e 19-vjeçarit ishte Lugano, teksa më parë e kishte pësuar Jong Bojs. Fatkeqësisht për skuadrën e tij ishte goli i vetëm, ndërsa të dyja ndeshjet u humbën 1-4 dhe 2-1. Bajrami po jep sinjale të mira. Tek Uinterthur është në huazim, pasi kartonin e tij e zotëron Zyrih.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here