Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses janë të angazhuar me skuadrat e tyre në Europë dhe një pjesë po kalojnë momente të mira, me tregues sportivë të spikatur, por ka dhe të tjerë të dëmtuar dhe të shqetësuar për të ardhmen e tyre, sikurse ndodh me dy sulmuesit, Rei Manajn dhe Armando Brojën, që të dy të dëmtuar dhe që me shumë gjasë nuk do të mund të bëhen gati për duelet e tetorit në transfertë që Kombëtarja kuqezi ka ndaj Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë. Për Brojën mediat britanike kanë shkruar se kthimi i tij nga dëmtimi do të ndodhë në muajin tetor, por pa specifikuar datë. Rikuperimi mund të zgjasë pasi lojtari nuk është përfshirë fare në skemat e Evertonit gjatë procesit stërvitor. Të gjithë shpresojnë që ai të mund të kalojë plotësisht dëmtimin në mesin e tetorit ose në fund të muajit, për të qenë i gatshëm dhe në formë të plotë vetëm në duelet e nëntorit.
Natyrisht, reparti që vjen me më shumë lojtarë në formë për momentin është mbrojtja, pasi Gjimshiti e ka lënë pas dëmtimin dhe është kthyer, po ashtu Ismajli është në formë, edhe Mitaj, por edhe të tjerët, ndërsa ka pikëpyetje për Hysajn që nuk po gjen më hapësirë te Lacio e ka përfunduar në tribuna. Mesfushorët si Asllani, Bajrami e Ramadani gëzojnë formë të mirë, ndaj sulmi shihet problem, pasi dy kryesorët që luajnë “pykë” si Broja dhe Manaj janë të dëmtuar. Gjithsesi, sinjale pozitive ka ditët e fundit nga Kristian Shpendi, që luan në Sere B dhe që mund të marrë ftesë nga trajneri Silvinjo për duelet e tetorit e nëntorit. Lojtari po kalon formë të mirë sportive.
Manaj vijon rikuperimin, s’është ende gati
Sivaspori luajti ndeshjen e radhës më 27 shtator në kampionatin turk, por në fushë nuk ishte Rei Manaj. Vendasit humbën 1 me 2 përballë Istanbul Basaksehir. Ishte bërë e ditur që më parë, se sulmuesi vijon ende të jetë i dëmtuar dhe në fazën e rikuperimit. Ndërkohë nuk ka një datë për rikthimin e tij. Manaj është në luftë me kohën për tu rikthyer dhe për të qenë gati për trajnerin Silvinjo në ndeshjet e muajit tetor që Kombëtarja shqiptare do të luajë me Çekinë dhe Gjeorgjinë në transfertë.
Shpendi spikat me Çezenën në Serie B
Ndërkohë, Kristjan Shpendi po spikat në Serie B italiane. Ai e ka filluar këtë sezon në Serinë B në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mendohet se do të ftohet nga trajneri Silvinjo për duelet e radhës, një ftesë që vjen e kushtëzuar nga mungesat e shumta në sulm apo forma jo e mirë e lojtarëve të sulmit. Sulmuesi shqiptar, ka vazhduar të shënojë po me të njëjtën rregullsi me të cilin u paraqit edhe në sezonin e kaluar në Serinë C ku ndihmoi Çezenën të bënte hapin cilësor dhe të ngjitej një kategori më lart. Sulmuesi po shënon me rregullsi dhe sot, ka tundur rrjetën që në minutën e dytë të ndeshjes kundër Mantovës, që është një prej skuadrave e cila ka pretendime për ngjitjen në elitë. Ky ishte goli i katërt në 6 ndeshje të luajtura nga Shpendi në këtë sezon në Serinë B, duke treguar se nuk e ka ndjerë aspak ndryshimin e kategorive, duke konfirmuar edhe një herë aftësitë e jashtëzakonshme që ka para portës kundërshtare.