Dy ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, janë tashmë në pozita më të rënduara, pasi ndaj tyre është shtuar akuza e pastrimit të parave, në aferën e njohur si “5D”.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, tha se tashmë ata rrezikojnë deri në 15 vite burg nëse do të rezultojnë fajtorë për këtë vepër, ndërkohë që hetimet ndaj tyre janë shtyrë me një vit.
“Apeli i Posaçëm e orientoi prokurorinë të hetonte edhe për shkelje të tjera. Arrinte në konkluzionin, madje shkonte në një pikë të rëndë, duke ngritur dyshime se brenda Bashkiste kishte patur grup të strukturuar kriminal.
Ditën e sotme ishte seancë gjyqësore ndaj Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe Taulant Tushes.
Avokatët kishin kërkuar shuarjen e masës së sigurisë. Prokurori tha kam regjistruar vepër të re penale, pastrimin e parave. Duke qenë se rëndohet pozita e ish zyrtarëve, në mënyrë automatike shkon edhe në drejtim të zotit Veliaj, duhet të zgjatet afati i paraburgimit dhe gjykata e pranoi.
Pozita e ish drejtorëve të Veliajt, është rënduar ndjeshëm në raport me ligjin. Nga pastrimi i parave hetohen edhe personat e bashkëlidhur. E dyta, marzhi i dënimit shtohet ndjeshëm, mund të shkojë deri në 15 vite burg. 5D është rrugë e gjatë, ka hetim për Veliajn, familjarët e tij, ka zyrtarë të tjerë që Apeli i Posaçëm e ka orientuar.
Përshembull, në një nga rastet vëllai i Taulant Tushës komunikon me Nestor Muhametllari, pronari në letra i 5D, sepse pronarët faktikë janë Qato dhe Molla. Muhametllari rezulton të kishte kontakte me zyrtarët e bashkisë por edhe familjarë të tyre”, tha Lala.