Analistja Anduena Llabani, e ftuar në një studio televizive, tha se ministri i ri i Brendshëm Ervin Hoxha ka vullnetin për ta pastruar Policinë e Shtetit nga krimi.
Sipas Llabanit të gjithë shefat e komisariatit do të lëvizin me ardhjen e ministrit të ri.
“E vetmja gjë që ka gënjyer dje ministri është që s’ka policë. S’e ka policë, por janë shefa komisariatesh që merren me pisllëqe. Ministri i ri e deklaroi që s’jam i kënaqur me punën e Policisë së Shtetit. Ka qenë një nga fjalimet më korrekte të një ministri. Ervini vjen nga një punë teknike, e njeh shumë mirë Policinë e Shtetit. Gjatë ditëve të para të marrjes së detyrës, ai tha që ka një të keqe me mua, që unë i njoh këta. E kam bindje që ai ka të gjithë vullnetin politik për ta pastruar një herë e mirë Policinë e Shtetit. Ka marrë mbështetjen dhe ka vullnet politik. Takimet e para zyrtare të Ervin Hoxhës sa mori detyrën, ka qenë takimi me kreun e SPAK Altin Dumanin dhe me kreun e SHISH-it. Ministri e di shumë mirë kush janë grupet kriminale, qytetet ku lulëzojnë dhe bizneset që kanë grupet kriminale. Unë di që shefa sektorësh hiqen nga puna nga kreu i komisariatit për faktin që gjatë një kontrolli gjejnë që në një qendër luhet bixhoz. Të gjithë shefat e komisariateve do lëvizin, ka shefa komisariatesh që mbajnë në kroskot armën e një të shpalluri në kërkim. Do t’i heqë”.
E pyetur se kush është emri i përfolur për të marrë detyrën e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Llabani thotë:
“Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së Durrësit. Unë mendoj dhe e kam diskutuar edhe me njerëz që kanë vite në Policinë e Shtetit, Skënder Hitaj është njeriu më adapt për detyrën”.
Llabani shton se risi në këtë proces do të jenë edhe femrat, që pritet të jenë drejtuese të sektorëve.