Eksperti Ervin Karamuço ka deklarua mbrëmjen e sotme se ish-kryepolici Muhamet Rrumbullaku u ka dhënë deklarim oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas operacionit të zhvilluar dy muaj më parë, në Korrik, i cilësuar si “Plumbi i Artë 2”.
Për shkak se “kokat” dhe anëtarët e grupeve kriminale u larguan nga vendi ditët e fundit para se të niste operacioni i SPAK, organi i akuzës ka dyshuar për dekonspirim dhe ka urdhëruar BKH që të merrte deklarimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Ervin Karamuço tregoi se oficerët kanë sekuestruar dhe celularët e dy drejtorëve të lartë në Polici, për të parë se me cilët persona kishin komunikuar ditët e fundit, në prag të operacionit.
Megjithatë, siç evidentoi ai më vonë gjatë emisionit “Top Story”, kur një nga këta eksponentë të krimit të shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur në një vend fqinj, ai ka deklaruar se informacionet për operacionin i kishte marrë nga brenda BKH-së dhe jo Policisë.
“Në fund të muajit Korrik ne patëm një operacion “Plumbi i Artë 2″ dhe disa nga këta persona, u bë një problematikë e madhe sepse nuk u arrestuan. Disa prej tyre, dy deri në tre ditë përpara u larguan nga vendi dhe nuk pati rezultate. Është bërë një hetim i madh nga SPAK.
Madje, i kanë vajtur në zyrë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe i kanë marrë deklarim oficerët e BKH-së. Kanë marrë celularët e 2-3 drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për të parë me kë kanë komunikuar.
Por ndërkohë çfarë ndodhi?! Arrestohet një person në një vend fqinj, i cili ishte pjesë e kërkimit ndërkombëtar mbas disa javësh dhe ai ka të deklaruar që nuk e ka marrë informacionin nga Policia, por e kam marrë nga brenda BKH. Dhe ajo po hetohet aktualisht. Pretendime janë, por duhet të hetohen”, u shpreh eksperti i Kriminologjisë, Ervin Karamuço.