Ditën e sotme Gjykata e lartë do të shqyrtojë në dhomë këshillimi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dhënë nga gjyqtari Agron Zhukrit për PD, kërkesë kjo e bërë nga Enkelejd Alibeaj. Kolegji Civil, i përbërë nga gjyqtarët Enton Dhimitri, Margarita Buhali dhe Valbona Cekrezi, do të marrë vendim mbi bazën e dokumenteve.
Vendimi i Gjykatës së Apelit i datës 11 qershor, i kaloi vulën dhe logon e PD ish-kryeministrit Sali Berisha. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se grupi i Lulzim Bashës nuk legjitimohej si palë në proces me përfaqësues Enkelejd Alibeajn i cili autorizuar me shkrim nga Lulzim Basha. Sipas Apelit, ankimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj në kushtet kur Lulzim Basha kishte dhënë dorëheqjen nga kryetar i PD dhe si i tillë autorizimi ka humbur efektet juridike prej datës 21 mars 2022, pavarësisht se Basha nuk e kishte dorëzuar dorëheqjen në gjykatë, por sipas Apelit ky është një fakt i njohur botërisht.
Kujtojmë që vendimi i Apelit la në fuqi vendimin e 25 marsit 2022, të ish-gjyqtarit Agron Zhukri.
“Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z. Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje.
Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimmarrëse në procesin zgjedhor.
Sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi me vendimin nr.5 datë 27.03.2023 të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, PDSH është përfaqësuar në zgjedhjet vendore të vitit 2023 me nën/kryetar z. Enkelejd Alibeaj, për shkak se është pranuar që kryetari z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje në datë 21.03.2022. Nga këto akte provuese, provohet se z. Lulëzim Basha nuk ka qenë organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, në momentin e regjistrimit të ankimit 04.04.2022, pasi është njohur dorëheqja e tij në datë 21.03.2022.”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.