Në një lëvizje që shënon një ndryshim të dukshëm në strategjinë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka vendosur të “mbyllë derën” e PS për deputetët e vjetër, duke kërkuar një mbështetje masive prej 1 milion votash për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme dhe promovuar figurat e reja. Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së partisë, Rama ka shpallur objektivat ambicioze dhe ka ndarë detyrat për drejtuesit politikë të Tiranës. Këto porosi të rëndësishme synojnë të forcojnë pozitat e PS-së dhe të sigurojnë një strategji të koordinuar për arritjen e qëllimeve të caktuara. Rama tha se Partisë Socialiste i duhet një energji edhe më e madhe, ndërsa theksoi se PS sot ka 700 mijë zgjedhës, ndërsa në 2030 synon të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë.
“Zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë, ambicia jonë është që në të synojmë që PS 2030 të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë”, tha Rama. Ndërkohë burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka dhënë edhe porositë se si do të ndahet puna mes tre drejtuesve politikë të Tiranës, Erion Veliaj, Elisa Spiropali dhe Ogerta Manastirliu. Burimet thonë se Erion Veliaj do jetë drejtues politik për të gjithë qarkun, ndërkohë që Manastirliu do të merret me organizimin në strukturën e partisë në Bashkinë Tiranë. Sa i takon Spiropalit do merret me strukturën e partisë në bashkitë e tjera të qarkut: Kamëz, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Kryeministri Rama ka kërkuar angazhim më të madh edhe në takime me diasporën.
Veç Taulant Ballës që do të jetë drejtuesi politik për Diasporën, në grupin që do të organizojë punën dhe takimet do të jetë edhe Romina Kuko, anëtare e Kryesisë dhe kryetare e këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe Igli Hasani, ministër i Jashtëm dhe Zerina Bruci, sekretare për Diasporën. Mbledhja me dyer të mbyllura zgjati rreth 1 orë, ndërsa në përfundim të saj Rama nuk preferoi të flasë për mediat, por me batuta uroi ditën e parë të shkollës. Në Asamblenë e Partisë Socialiste, e cila u mbajt dy ditë më parë, kryesocialisti Edi Rama ju bëri të qartë deputetëve se sigurimi i një vendi në Parlament, nuk do të jetë aspak i lehtë. Rama tha se në listën e sigurt do të jenë deputetët vetëm me një mandat, dhe të rinjtë. Deputetët me më shumë se një mandat, dhe vetë ai, si kryetar i partisë do të jenë në garë të hapur me të tjerët, ndërsa parashikoi një humbje të thellë të PD-së.



































