Kush është “agjenti i shërbimeve jugosllave” që dëshmoi kundër Metës në SPAK?

0
49

Më 8 korrik 2024, në kulmin e akuzave që Ilir Meta i dërgonte SPAK-ut, përmes deklaratave nga selia apo daljeve në studio televizive, një deklaratë e bërë nga Jasmira Memelli, zëdhënësja e tij, nuk u arrit të zbërthehej se për çfarë po fliste ish-presidenti.

Meta foli përmes zëdhënëses e jo vetë, (një rast i rrallë ky për profilin që ish-presidenti ka zgjedhur të mbajë në publik që prej rikthimit aktiv në politikë), për një personazh të panjohur, por që qëndron në krye të skemës kundër tij.

“Të gjithë ata që merren me këtë çështje, siç presidenti Meta jua ka bërë të ditur ‘off-record’ bashkëpunëtorëve të Dum-Dumanit, e dinë shumë mirë se në krye të kësaj skeme është ish-bashkëpunëtori i Shërbimeve Jugosllave, A. SH., (emrin e të cilit nuk po e publikojmë për të mos dëmtuar hetimet e Dum-Dumanit), i arratisur nga Dibra në fund të viteve ’80 dhe i rekrutuar nga Shërbimet Jugosllave të kohës.

Ky person është riaktivizuar në vitet 2000 me qëllim kompromentimin e Ilir Metës dhe të personave të afërt me të duke përdorur lidhje gjoja farefisnore. Ai ka kryer një veprimtari të mirëfilltë agjenturore duke arritur të kompromentojë njerëz pranë Presidentit Meta, faktet për të cilat ata i dinë dhe i kanë në dispozicion, siç janë personat, E. B., J. M., dhe të tjerë”, deklaroi zëdhënësja.

Por kush është A.SH? ZËRI ka mundur të mësojë se A.SH është biznesmeni Adrian Shatku, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shatku është thirrur nga SPAK disa javë më parë ku edhe është pyetur për njohjen me Metën dhe familjen e tij. Në verifikimin e Prokurorisë së Posaçme janë edhe komunikimet telefonike mes Shatkut dhe familjes Meta.

Është pikërisht edhe thirrja e këtij personazhi në dyert e SPAK arsyeja edhe pse Meta humbi qetësinë dhe akuzoi publikisht Shatkun si një bashkëpunëtor të shërbimeve jugosllave.

ZËRI mundi të mësojë se në sitën e SPAK janë edhe disa kontrata që Shatku ka përfituar nga institucionet shqiptare, përfshirë këtu AKEP, përmes kompanisë së tij, UNIFI HOLDING Dega Shqipëri. Degë e UNIFI HOLDING, pronë e Shatkut, kjo kompani erdhi në Shqipëri në vitin 2009 ku prezantoi një sërë projektesh ambicioze.

Kjo kompani, me administratorë dy të afërmit e Adrian Shatku, Florian dhe Enkeleda Shatku u largua në gusht të vitit 2018, kur socialistët kishin larguar nga AKEP Pirro Xhixhën e ish-LSI dhe drejtuesi i ri kishte urdhëruar inspektim.

Inspektimi i AKEP zbuloi në vjeshtën e vitit 2018 se UNIFI kishte abuzuar me konsumatorin shqiptar përmes lidhjes me Vodafone Albania. Në Nëntor 2018, AKEP e gjobiti me gjysëm milionë dollarë kompaninë “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, pasi kjo kompani në vitin 2014, mori përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”. Kjo marrëveshje ka qenë funksionale deri në Gusht të vitit 2018, kohë kur inspektorët e AKEP thelluan kontrollin mbi veprimtarinë e “Unifi-dega Shqipëri”, të cilin e kishin nisur në janar të vitit të kaluar.

AKEP ka konstatuar se, për të paktën 6 muajt e parë, marrëveshja e interkonjeksionit ka qenë e paligjshme, për shkak se Unifi nuk ishte pajisur me licensën përkatëse. Në vijim të kontrollit, AKEP ka zbuluar gjithashtu se Unifi-Dega Shqipëri nuk ka deklaruar në bilancet e saj faturat e paguara për llogari të “Vodafone”, si edhe ato të shitjes tek klientët përdorues të shërbimit telefonik ndërkombëtar, për thuajse 3 vjet (2014-2016), duke hedhur dyshime për veprimtarinë e pastrimit të parave.

Në përfundim të hetimit administrativ, AKEP gjobit “Unifi-dega Shqipëri” me 50 milionë lekë.

Ishin pikërisht lidhjet e forta të Shatkut ato që kishin bërë të mundur që aktiviteti i tij në Shqipëri të zgjerohej me sukses. Në vitin 2010, një vit pas ardhjes në vend, qeveria Berisha miratoi vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës, ku studimi iu dha UNIFI-t. Që nga viti 2017, pasi projekti u shty disa herë, nuk ka më asnjë njoftim zyrtar se çfarë u bë me këtë studim që do të duhet të realizonte UNIFI dega Shqipëri.

Por kush e mbrojti Shatkun në AKEP? Në vendimin për gjobitjen, AKEP deklaron se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”. Kjo fjali i drejtohet ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixha, babai i deputetes Erisa Xhixho i cili e kishte nën kontroll aktivitetin e UNIFI.

Tashmë i gjithë aktiviteti ekonomik i Shatkut në Shqipëri është në sitën e SPAK, ku ai dyshohet se është pjesë e rrethit të afërt të familjes Meta, edhe pse kreu i PL, deklaron se ai është një agjent që ka përdorur “gjasme lidhje farefisnore”.

Kush e solli dhe si e zgjeroi biznesin në Shqipëri, pa licensat përkatesë dhe me bekimin e kujt, janë pyetjet e radhës që presin përgjigje!

ZËRI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here