“Përdoret nga Kremlini për politikat e jashtme”/ Mbështetja për luftën, vë Kishën Ortodokse të Rusisë përballë presionit

0
36

Muajin e kaluar, në ditën e njëjtë kur ligjvënësit ukrainas votuan për ndalimin e të gjithë degës të Kishës Ortodokse Ruse, udhëheqësi i Kishës Ortodokse të Bullgarisë publikisht u shpreh kritik për këtë hap historik dhe kundërthënës.

Ligji ukrainas, tha patriarku Daniil, e vendos kishën ruse ndaj “kufizimeve serioze faktike dhe ligjore”, që përbën “një politikë diskriminuese”.

Qëndrimi publik i Daniilit në mbështetje të kishës ruse veçse ka nxitur reagime në Bullgari. Patriarku Daniil nuk është i vetmi.

Vitin e kaluar, Bullgaria dëboi tre priftërinj – dy bjellorusë dhe një rus – të punësuar nga Kisha Ortodokse Ruse. Dëbimi u bë duke u thirrur në shkaqe sigurie.

Në Ukrainë, ku Rusia po zhvillon luftë që 30 muaj, lëvizja e Kievit kundër degës së Kishës Ortodokse që shihet si besnike ndaj Moskës, u pa si një tjetër moment vendimtar në luftën dekadëshe për përcaktimin e identitetit ortodoks të Ukrainë. Disa e panë këtë vendim, ose e keqinterpretuan plotësisht, si sulm ndaj lirisë së besimit.

Por, gjithnjë e në më shumë shtete, kisha ruse po has në vështirësi që të vazhdojë operacionet e saj pasi autoritetet po e shohin me sy kritik praninë e saj, duke argumentuar se në vend se të jetë një organizatë krejtësisht fetare dhe shpirtërore, Kisha Ortodokse Ruse është një mjet aktiv i Qeverisë ruse për fuqi të butë.

“Kur nuk ka qenë sekret që Rusia e përdor kishën dhe vlerat ortodokse si pjesë të rëndësishme të politikës të saj të jashtme”, tha Vladimir Liparteliani, studiues në Universitetin Durham në Britani, i cili ka bërë kërkime për Kishën Ortodokse Ruse.

“Kur një shtet ndalon dhe kufizon ndikimin e Kishës Ortodokse Ruse, në thelb tenton të reduktojë ndikimin e fuqisë së butë ruse”, tha ai. “Për më tepër, për shumë shtete evropiane është jashtëzakonisht e rëndësishme të adresohet kjo çështje sepse narrativët fetarë rusë dhe konservatorë janë jashtëzakonisht antiperëndimorë dhe antiliberalë dhe rreziku nga ta nuk duhet të nënvlerësohet”.

“Kalkulimi i Kremlinit”
Kisha Ortodokse Ruse, është kisha më e madhe dhe më e pasur në mesin e të gjitha kishave ortodokse perëndimore. Për shekuj të tërë, kjo kishë ka pretenduar se është shtëpia e vërtetë e krishterimit ortodoks.

Shefi aktual i kishës, patriarku Kirill është mbështetës i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i luftës kundër Ukrainës. Në shtator të vitit 2022, shtatë muaj pas nisjes të pushtimit rus të Ukrainës, Kirill u tha ushtarëve rusë se “sakrifica gjatë kryerjes të detyrave tuaja ushtarake lanë të gjitha mëkatet”. Më herët gjatë këtij viti, Kirill deklaroi se pushtimi i Ukrainës ishte një “luftë e shenjtë”.

“Sa më militante të jetë retorika e patriarkut dhe sa më i dukshëm bëhet ai në propagandën ruse, aq më fanatik duket nga jashtë dhe më i fuqishëm në forcat centrifugale brenda kishës”, shkroi vitin e kaluar Ksenia Luchenko, hulumtuese në Këshillin Evropian për Raporte me Jashtë. “Duke përdorur forcën në tentim që të mbahen bashkë pjesët e copëtuara të Kishës Ortodokse Ruse që dikur ishin të unifikuara, patriarku vetëm po i largon ato”.

Brenda Ukrainës, Kisha Ortodokse Ruse prej kohësh ka qenë një prej degëve më të mëdha të besimit të besimit ortodoks, që deri vonë është njohur si Kisha Ortodokse e Ukrainës-Patrikana e Moskës.

Pas ndarjes të Bashkimit Sovjetik, u shfaq Kisha Ortodokse Ukrainase-Patrikana e Kievit, duke garuar për primatin midis besimtarëve ukrainas. Ajo po ashtu garoi edhe me Patrikanën e Moskës sa i përket pasurisë së paluajtshme.

Pas rritjes së tensioneve që pasuan marrjen nga Rusia të Gadishullit të Krimesë më 2014, kishat ukrainase u larguan edhe më shumë nga Moska.

Në fund të vitit 2018, Kisha Ortodokse Ukrainase-Patrikana e Krievit u bashkua me një kishë tjetër më të vogël të quajtur Kisha Ortodokse Autoqefale e Ukrainës, e cila ishte themeluar në kohën e Revolucionit Bolshevik, një shekull më parë.

Kisha e re e formuar pas këtij bashkimi u quajt Kisha Ortodokse e Ukrainës. Në janar të vitit 2019, patriarku ekumenik Bartolomeu i Kostandinopojës, kreu shpirtëror i të gjithë të krishterëve ortodoksë, për herë të parë në histori njohu pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës nga Moska.

Nën presionin nga Kievi, Kisha Ortodokse e Ukrainës zyrtarisht hoqi dorë nga lidhjet e saj me Moskën, pas nisjes së luftën në Ukrainë.

Por, ligjvënësit ukrainas nuk ishin të bindur dhe më 20 gusht, ata miratuan ligjin që ndalon operimin në Ukrainë të organizatave fetare të lidhura me Kishën Ortodokse Ruse.

“Për të mbrojtur njerëzit tanë nga agresioni rus, ne duhet ta bëjmë së bashku jo vetëm në fushëbetejë, në sferën informative, diplomatike e të tjera, por po ashtu në sferën shpirtërore”, tha kreu i kishës ukrainase, metropoliti Epifani. “Sepse pa pavarësi shpirtërore nga Kremlini, nga ‘perandoria ruse e së keqes’, ne nuk mund të flasim për pavarësi të vërtetë”.

Ky vendim i Ukrainës ishte pritur me zemërim nga Moska.

Në vende të tjera, vendimi u paraqit si sulm ndaj lirive fetare. Edhe kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, e kritikoi ligjin e miratuar, duke thënë se “kam frikë për lirinë e atyre që luten”.

Për disa në Ukrainë, megjithatë, ky vendim ishte një përpjekje e mirëpritur për të luftuar përpjekjet e lidhura me kishën e Moskës për të fituar simpatinë e ukrainasve haptazi apo në mënyrë të fshehtë.

Tetyana Derkach, analiste ukrainase dhe studiuese fetare, kritikoi rolin që ka luajtur kisha ruse në minimin e sentimentit kombëtar ukrainas pas protestave të Maidanit më 2014, që çuan në rrëzimin nga pushteti të presidentit prorus të shtetit. Kremlini vazhdimisht ka tentuar që t’i shfaqë këto ngjarje jo si shfaqje publike të sentimentit antiqeveritar, por si grusht shtet.

“Kalkulimi i Kremlinit se Kisha Ortodokse Ukrainase-Patrikana e Moskës do të jetë në gjendje ‘të edukojë’ besimtarët që të jenë besnikë ndaj Rusisë ishte gjerësisht i justifikuar”, tha Derkach. “Në thelb, Kisha Ortodokse Ukrainase-Patrikana e Moskës po përgatiste një plan që njerëzit ta pranonin idenë e bashkimit të Ukrainës dhe Rusisë”.

Bullgaria shikon kah Lindja
Në Bullgari, Kisha Ortodokse e Bullgarisë ka qenë nën llupë për pozicionin e saj me kishën ruse, veçmas sa i përket luftës në Ukrainë. Udhëheqja e kishës ka refuzuar që të njohë vendimin e vitit 2018, përmes së cilit iu dha pavarësia Kishës Ortodokse të Ukrainës nga Moska.

Dëbimi vitin e kaluar i tre priftërinjve rusë – të cilët ishin të lidhur me Kishën Ortodokse Ruse në Bullgari, po jo me Kishën Ortodokse Bullgare – kishte një dimension tjetër.

Kryeprifti që u dëbua, Archimandrite Vassian, u dëbua për shkak të sigurisë kombëtare. Vendimi për të u mor për shkak të punës që ai kreu në Maqedoninë e Veriut.

Vassian vazhdimisht e kishte vizituar Maqedoninë e Veriut “për të kryer funksionet e inteligjencës ruse e qëllim që të përçajë kishën maqedonase”, tha atëbotë Atanas Atanasov, ligjvënës nga partia Bullgaria Demokratike.

Dy priftërinjtë e tjerë ortodoksë rusë, të dëbuar nga Bullgaria, ishin shtetas të Bjellorusisë. Njëri nga ta, Yevhen Pavelchuk, shërbeu në një njësi sekrete ushtarake afër Moskës para se të bëhej prift. Ai, po ashtu, sipas hulumtimit të Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë, ndihmoi në themelimin e një klubi për të rinj ortodoksë që u mësonte adoleshentëve aftësi ushtarake, por edhe ide nacionaliste, sikurse “Bota Ruse”.

Pas dëbimeve, Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftim se kisha kryesore ruse në kryeqytetin bullgar, Sofje, do të mbyllej.

Patriaku Daniil, i cili u zgjodh si udhëheqës i kishës bullgare në qershor, publikisht kritikoi mbylljen e kishës dhe dëbimin e priftërinjve. Së fundi, ai po ashtu kritikoi vendimin e Ukrainës sa i përket entiteteve të lidhura me kishën ruse.

“Patriarku Daniil në mënyrë kategorike ka dëshmuar se është një peshkop bullgar prorus”, i tha Shërbimit bullgar të REL-it, historiani dhe publicisti me bazë në Sofje, Goran Blagoev.
Çekët, shumë – Gjeorgjianët, jo dhe aq
Bullgaria nuk është shteti i vetëm ku Kisha Ortodokse Ruse po përballet me presion.

Në Republikë Çeke, autoritetet kanë shtrënguar presionin si pjesë e një fushate shumëvjeçare për të kufizuar aktivitetin e zyrtarëve rusë dhe entiteteve të lidhura me ta – një fushatë që fitoi momentum të ri pas zbulimeve në vitin 2021 se agjentët e inteligjencës ruse ishin përgjegjës për shpërthimin në dy depo çeke të municioneve më 2014.

Autoritetet çeke sanksionuan partiakun Kirill vitin e kaluar dhe dëbuan një klerik rus. Disa ligjvënës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të hetojë nëse kishat ruse janë përfshirë në “operacionet e ndikimit” në Çeki.

“Unë nuk e konsideroj Kishën Ortodokse Ruse të Patrikanës së Moskës si kishë dhe përfaqësuesit e saj si klerikë”, tha në gusht ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky. “Është pjesë e makinerisë shtypëse të Kremlinit që është përfshirë në operacionet e ndikimit të Rusisë”.

Në shtete të tjera, ku kishat lokale ortodokse konsiderohen të nënshtruara ndaj Moskës, ka pasur përpjekje për të dobësuar lidhjet me kishën ruse.

Në Baltik, autoritetet e kishës ortodokse lituaneze dhe letoneze, me mbështetjen e udhëheqësve politikë, kanë lëvizur drejt pavarësimit, megjithëse strukturat organizative komunale të krishterimit ortodoks e kanë bërë të vështirë këtë proces.

Në Gjeorgji, ndërkaq, situata është krejt ndryshe.

Pas vendimit të vitit 2018 të patriarkut Bartolomeu, që i dha pavarësi kishës ukrainase nga Moska, tre nga kishat më të mëdha ortodokse në botë që vetëqeverisen – greke, aleksandriane dhe qipriote – e njohën vendimin.

Kisha Ortodokse Gjeorgjiane, e cila po ashtu zyrtarisht është e pavarur nga Moska, ishte një nga kishat kombëtare që e bëri këtë.

Studiuesit gjeorgjianë thanë se ky vendim ishte një kontrast i madh me vendimin e shkurtit të vitit 2023, për njohjen e pavarësisë së kishës ortodokse në Maqedoninë e Veriut.

Frika se do të zemërohet kisha ruse ishte arsyeja kryesore për mosnjohjen e pavarësisë së kishës ukrainase, tha teologia gjeorgjiane, Lela Jejelava.

“Çështja e Ukrainës ka përmbajtje shumë më të thellë”, tha ajo për REL-in vitin e kaluar. “Është një çështje politike dhe jo kanonike”.

“Ne kemi një nëntekst që është thjesht politik”, tha ajo. “Në këtë rast, Kisha Gjeorgjiane konfirmon praninë e saj në orbitën e kishës ruse”./REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here