Vdekja politike” e Sali Berishës është afër. Skema është “qepur” mirë dhe ndihma e amerikanëve për ta zhdukur përfundimisht nga politika, por edhe për ta çuar drejt burgut “non gratën” ka qenë dhe vijon të jetë e madhe. Gazeta “SOT” ka mësuar se janë dy skenarë që pritet të lënë Sali Berishën jashtë zgjedhjeve të 2025. Si fillim ai do të mbetet pa parti, pa vulë, pa logo dhe pa një aleat që do ta marrë “nën sqetull” siç ka bërë Ilir Meta në zgjedhjet e fundit vendore. Goditja e fortë Berishës pritet t’i vijë nga Gjykata e Lartë. Është dërguar për shqyrtim dosja për shqyrtimin e rekursit të bërë nga Luzim Basha kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha logon dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës. Mësohet se rekursi që paraqiti Lulzim Basha më datën 23 korrik dhe më 29 korrik dosja u dërgua për shqyrtim rekursi në Gjykatën e Lartë pritet të nxjerrin jashtë loje Sali Berishën. Mbrapa këtij plani fshihen amerikanët dhe sipas burimeve, do të ketë një gjyq që do të mbyllet me një seancë. Ky gjyq do të mbahet afër zgjedhjeve të 2025 dhe në rastin e heqjes së vulës së PD nga Gjykata e Lartë për Sali Berishën, ky i fundit nuk do të ketë kohë as të regjistrohet në zgjedhje, por as dhe të futet në koalicion. Rregullat e KQZ thonë qartë se partitë politike paraqesin kërkesën për tu regjistruar si subjekt zgjedhor jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Gjyqi i PD dhe roli i amerikanëve
Që në këtë mes ka një skenar amerikan këtë e tregojnë qartë deklaratat dhe veprimet e tyre. SHBA po përpiqen të nxjerrin “jashtë loje” figurat e vjetra që kanë dekada që mbretërojnë në politikën shqiptare. Paralajmërimet e tyre kanë qenë të qarta për Sali Berishën. Nuk mund të vijë në pushtet PD me një kryetar “non grata”. Madje mesazhet, financimet dhe mbështetja e tyre për drejtësinë e gjyqësorin ka qenë e madhe dhe vendimi për të mos u shprehur në momentin kur Berisha mori vulën nuk tregoi se ata ishin dakord me këtë qëndrim të Apelit. Vendimet e gjykatave nuk komentohen. Por nëse rikthehemi pas në kohë më 3 mars 2023, në datën që Gjykata e Apelit në Tiranë mbajti seancën që rrëzoi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, çdo gjë u bë falë Uashingtonit, pavarësisht se Sali Berisha në prapaskenë i luajti të gjitha kartat, duke nisur nga kërcënimet, presionet e forta, pazaret dhe deri tek çantat me lekë. SHBA punoi fortë në prapaskenë dhe në qetësi që asnjë vendim i imponuar me dhunë dhe shantazh të mos merrej nga Apeli.
Dhe ashtu ndodhi. Që në mëngjes të 3 marsit 2023, dy përfaqësues të ambasadës u shfaqën në gjykatë dhe nuk lëvizën që aty për 7 orë. Vendimi fundosi Berishën dhe para disa muajsh vetingu i financuar nga SHBA tregoi qartë korrupsionin që kishte mbërthyer Agron Zhukrin, i cili favorizoi Sali Berishën. Ai u përjashtua nga drejtësia dhe SPAK ka nisur hetimet ndaj tij për pastrim parash. Ndryshe nga seanca e 3 marsit, më 11 qershor 2024 amerikanët nuk shkuan në seancën e gjykatës së Apelit, me trupë gjykuese të përbërë nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro,të cilët vendosën unanimisht mospranimin e ankimit të bërë nga grupi i Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e marrë 25 marsin e vitit 2022 nga gjyqtari Agron Zhukri, i cili regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike të miratuara në Kuvendin e Sali Berishës më 11 dhjetorin e vitit 2021. Plani amerikan është i mirëmenduar dhe në fund do të shohim se çfarë surprizash të hidhura e presin Sali Berishën.
Skenari i dytë
Në skenarin e dytë për përjashtimin e Sali Berishës për zgjedhjet e 2025 përfshihet edhe SPAK. Gjykata e Lartë miratoi së fundmi një vendim për dyfishimin e afateve të “arrestit në shtëpi” përtej parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale për ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka. Ky vendim mund të fundosë dhe Sali Berishën pasi rrezikon ta lërë jashtë fushatës elektorale parlamentare të vitit 2025. Kreu i opozitës gjendet nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi” prej 30 dhjetorit 2023, nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë”, sipas nenit 260 të Kodit Penal. Kjo vepër parashikon dënime nga 4 deri në 12 vjet burgim. Duke qenë se afati maksimal i dënimit për këtë vepër është mbi 10 vjet, atëherë afatet maksimale të masës së sigurimit para se aktet të dorëzohen në gjykatë janë 12 muaj (neni 263, pika 1/c). Kjo do të thotë që, sipas parashikimeve të Kodit Penal, nëse Prokuroria e Posaçme nuk dorëzon çështjen në Gjykatë, atëherë masa e sigurimit “arrest në shtëpi” ndaj Berishës, duhet të shuhet në ditën e fundit të vitit 2024. Ecuria e deritanishme e procedimit penal ndaj ish-kryeministrit Berisha ka dëshmuar se Prokuroria e Posaçme është ende larg përfundimit të hetimeve. Në kërkesat e saj drejtuar gjykatës për zgjatjen e hetimeve ka argumentuar se i nevojiten kryerja e veprimeve të ndryshme, të cilat kërkojnë kohë të gjatë për t’u kryer.
Pra, me shumë mundësi, SPAK-u nuk do të arrijë të mbyllë hetimet dhe të dërgojë dosjen në gjykatë për Berishën deri në 30 dhjetor 2024. Pra, duke e konsideruar masën “arrest në shtëpi” të ndryshme nga ajo e “arrestit me burg”, nuk do të jetë aspak çudi që SPAK-ut të kërkojë dhe gjykatat të vendosin dyfishimin “abuziv” të afateve të masës së sigurimit. Kjo do të thotë që “arresti në shtëpi” për Berishën mund të dyfishohet dhe të zgjatet deri në dhjetor 2025.