Kupola e Policisë së Shtetit dhe disa drejtori në qarqe pritet të kenë ndryshime drastike në vijim. Burime bëjnë me dije se këto ndryshime do të vijnë si rezultat i frymës së lëvizjeve që do të integrojë ministri i ri i Brendshëm Ervin Hoxha. Gazeta “SOT” ka mësuar se z.Hoxha në shtator do të nisë spastrime të forta. Hoxha ka mbështetjen totale të kryeministrit Rama, i cili i ka kërkuar vetë ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit.
“Kokat” që do të priten në rang drejtorësh do të jenë në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër. Madje i rrezikuar është dhe Muhamet Rrumbullaku si Drejtor i Policisë së Shtetit. Ky i fundit kur ka mësuar ndryshimet e forta që pritet të ndodhin në fillim të vjeshtës, ka thënë se “pazarin” e ka me kryeministrin Rama. Kreu i qeverisë ka kërkuar që të spastrohet “grupi çiftelia”. Edi Rama e kategorizonte Rrumbullakun si pjesë e ‘grupit çiftelia”.
Në këtë rreth e kishin futur, pas qarkullimit të një fotoje ku ishin Rrumbullaku, Tonin Vocaj, Agron Kuliçi, Nikolin Bala dhe biznesmeni Arben Frroku i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit, Dritan Lamaj. Mësohet gjithashtu se Ervin Hoxha e ka vendosur syrin tek qarqet më problematike me krimin. Gjithashtu do të ketë dhe spastrime në drejtorinë e përgjithshme. Sinjalet për këto ndryshime i ka dhënë edhe vetë ministri socialist. Ai deklaroi se do të bëjë gjithçka të mos zhgënjej askënd në kryerjen me sukses të detyrës së Ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.
Pra ai me çdo kusht do të kërkojë rezultate dhe planet e tij të para janë që të vendosë dorë të hekurt në krejt policinë e shtetit, për të mos lejuar shkeljen e ligjit dhe rendit publik në Shqipëri. Në këtë mes mund të shpëtojë drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kriminale i cili ka fituar një lloj imuniteti kryeministror pasi ka patur kohë më parë dosjen “Xibraka”. Të rrezikuar nga shkarkimet gjithashtu siç e thamë dhe në numrin e kaluar të gazetës janë edhe zyrtarët e lartë në polici të lidhur me krimin, të cilët kanë rënë në aplikacionin SKY.
Ministri Hoxha “zbarkon” në terren
Spastrimet janë lënë në shtator, pasi Ervin Hoxha zbriti që dje në terren, ku paralajmëroi se prioritet i tij si fillim do të jetë tek sezoni turistik. Bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Kociu, ai pa nga afër masat e marra për rritjen e sigurisë së pushuesve në plazhe në Golem.
Rojat bregdetare, stafi shëndetësor në Qendrat Shëndetësore verore, të cilat janë pranë plazheve, por edhe punonjësit e policisë në çdo moment që do të ketë nevojë për një ndërhyrje të shpejtë, sigurojnë që i gjithë zinxhiri dhe gjitha hallkat institucionale të funksionojë në mënyrë të plotë. Përgjatë vijës bregdetare në Durrës janë vendosur 5 stenda me pajisje shpëtimi pranë plazheve, ku dhe fluksi i pushuesve është më i lartë, të cilat mund të përdoren nga kushdo në rast nevoje.
Pajisja përfshin komerdare shpëtimi, një sistem elektronik kontrolli dhe sinjalizim zanor që njofton shërbimet e urgjencës apo edhe pushuesit duke tërhequr vëmendjen në rast rreziku për jetën e një personi në det. “Në Golem janë vendosur #StendateJetës me mjetet e nevojshme, që garantojnë ndërhyrje të shpejtë e efektive në rast rreziku në det. Siguria e qytetarëve, prioriteti ynë”, tha Hoxha. Gjithashtu Ministri i Brendshëm priti dje në një takim kortezie dhe ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci. Në takim u konfirmua edhe një herë afërsia mes dy vendeve mike.
Ministri Hoxha i pohoi ambasadorit italian se ka qenë dhe është dëshmitar i bashkëpunimit të frytshëm me shtetin italian në çdo fushë, duke nisur nga siguria publike, deri tek mbështetja që Italia i jep Shqipërisë në rrugëtimin për anëtarësim në BE. Ambasadori italian theksoi gjatë takimit, kënaqësinë për bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri Hoxha gjithashtu shprehu gatishmërinë maksimale të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, për t’i çuar përpara të gjitha proceset që kërkojnë vëmendjen e tij me bindjen e plotë se bashkëpunimi do të vazhdojë të jetë në nivelet më optimale.