Manuali etik për policët italianë me qendrim ne Gjader

0
35

Italia ka vendosur të hapë një pjesë të kampit për pritjen e emigrantëve në Gjadër. Media italiane, “La Repubblica” ka dhënë dje më shumë detaje, ku zbulon se dorëzimi i përfundimtar i kampit do të bëhet më 1 shtator. Ndërkohë testi i parë nga Inxhinierët Ushtarakë, për të hapur vetëm një pjesë të qendrës së pritjes së emigrantëve në Gjadër, është caktuar në 20 gusht. Siç raporton media italiane, sa i përket nisjes së kontingjentit të parë prej 500 personash, përfshirë policinë, karabinierët dhe policinë financiare, të cilët do të duhet të sigurojnë funksionimin e protokollit të Shqipërisë, është planifikuar gjithashtu për 20 gusht.

Më herët ishin dhënë dy data të tjera për hapjen, por tashmë konfirmohet se fillimi i javës së katërt të muajit starton edhe misionin e ri për qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës. “La Repubblica” shkruan se në Shëngjin duhet të garantohet identifikimi i thelluar i emigrantëve të sjellë pas klasifikimit të parë, i cili përkundrazi do të bëhet direkt në anijet ushtarake italiane, ku, nuk është e qartë se si dhe kush do të jetë në gjendje të përcaktojë nëse njerëzit e shpëtuar në det vijnë vërtet nga të ashtuquajturat vende të sigurta dhe nuk paraqesin kushte të cenueshme.

Njerëzit do të duhet të freskohen, të lahen në dhjetë dushet e instaluara, të vizitohen në infermieri, të pyeten për qëllimin e tyre për të aplikuar për azil dhe të njoftohen për dekretin e arrestimit nga komisariati i policisë së Romës. Dhe më pas, duke kaluar nëpër territorin shqiptar, do të jetë e nevojshme të kryhen përkthimet e emigrantëve, të cilët ndërkohë do të vendosen në paraburgim administrativ, me kusht që, brenda 48 orëve, gjyqtarët e seksionit të imigracionit të Romës të vërtetojnë ndalimin me emigrantët e lidhur me videokonferencë. Në sallat e gjyqit të Romës tashmë janë vendosur dhjetë ekrane, ndërsa aktualisht asnjë në Shqipëri.

Manuali etik për policët italianë:

Nga ana tjetër, pala italiane, ka përgatitur një manual, i cilësuar si surreal nga mediat përtej Adriatikut. Dokumenti është dorëzuar gjatë kursit të trajnimit për burrat dhe gratë që do të dërgohen për të menaxhuar burgun 20-vendësh për emigrantët në Gjadër: nga mënyra e të veshurit, deri te konsumimi i kafesë ulur në tavolinë dhe jo në banak!

1-Popullsia shqiptare është shumë mikpritëse, por duhet të merren parasysh disa masa paraprake të dobishme. Shqiptarëve nuk u pëlqen të nënvlerësohen në kuptimin që të mos paraqiten kurrë me një qasje superiore.

2-Ata janë një popull modest, prandaj lakuriqësia apo veshja më pak modeste në publik nuk është e mirëpritur.

3-Shmangni shoqërimin me gratë shqiptare në kontekste të ndryshme dhe në mënyrë të jashtëzakonshme. Është një shoqëri më konservatore, sidomos në veri të vendit. Burri që e sheh gruan e tij duke iu bere komplimente nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq.

4-Shqipëria është një vend shumë i sigurt, nuk ka mikrokrim (as vjedhje, as grabitje, as ngacmime seksuale). Prandaj shmangni qëndrimet mosbesuese.

5-Në Shqipëri nuk ka fanatizëm fetar. Pavarësisht se është një vend me shumicë myslimane (mbi 50% të popullsisë), ekziston bashkëjetesa paqësore e feve të ndryshme, duke përfshirë sektet e krishtera ortodokse, të krishtera katolike dhe sektet islamike heterodokse.

6-Kafeja nuk konsumohet në banak, por vetëm ulur: kjo është një traditë absolute që duhet ndjekur.

7-Në restorante, përmbajuni asaj që është përcaktuar në menu: kërkesat për ndryshime në menu nuk janë të mirëseardhura dhe çojnë në gabime dhe keqkuptime.

8-Gatimet shqiptare janë shumë pikante.

9-Kursi i këmbimit është paksa i pafavorshëm në raport me 1 me 100 (1 euro është ekuivalente me afërsisht 100 lekë dhe për këtë arsye nëse paguani në euro humbni afërsisht 0.29 lekë cent, nëse bëni shkëmbimin operacionet kushtojnë shumë më tepër, ashtu si tërheqja dhe transaksionet me kartë krediti, të cilat nuk pranohen kudo).

10-Karburanti (veçanërisht nafta), ka një kosto më të lartë në krahasim me atë në Itali.

11-Qendrat tregtare italiane kanë çmime dukshëm më të larta se ato lokale.

12-Kini shumë kujdes kur përdorni makina private dhe të kompanisë, për shkak të kushteve të pasigurta të rrugës.

13-Zona e Gjadrit është shumë e infektuar me insekte dhe mushkonja, prandaj rekomandohet sjellja e produkteve repelente (dezinfenktantë).

14-Kushtojini vëmendje mënyrës sesi flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët e dinë mirë italishten.

Kujdes në bare dhe restorante!

Sipas rregullores së hartuar nga fqinjët italianë, Shqipëria është një vend i sigurt, ndaj duhen shmangur mosbesimet për vendin tonë, ndërsa toleranca fetare mbizotëron. Veç kësaj, autoritetet italiane janë kujdesur të japin dhe këshilla për punonjësit e tyre, si për kursin e këmbimit monetar, ku paralajmërohen për shkëmbimin e euros dhe se do humbasin 0,29 cent prej saj. Sipas tyre, në pikën 10, karburanti, veçanërisht nafta, ka një kosto më të lartë në krahasim me atë në Itali, ndërsa duhet të kenë kujdes në përdorimin e automjeteve për shkak të kushteve të pasigurta të rrugëve. Por bien në sy edhe pika të tjera në rregullore dhe mesa duket, shqetësimi është se prania e forcave të rendit italian mund të shkaktojë disa fërkime. Aty u tregohet agjentëve italianë se si duhet të sillen në bare dhe restorante.

“Konsumimi i kafes nuk është në banak, por vetëm ulur, në restorante përmbajuni menysë, kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura”. Dhe, në fund, rekomandimi i rekomandimeve: “Kini kujdes se si flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht!”. Sekretari i Përgjithshëm i Policisë së burgjeve të UIlpa, Gennarino De Fazio, është shumë kritik për metodat jo-transparente, me të cilat u identifikuan 45 të parët e kontingjentit, duke bërë krahasime mes gjendjes në paraburgimet italiane dhe atyre që po ndërtohen në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here