Plas në PS, socialistët të pakënaqur me ministrat e rinj anonimë, zbulohen se kush janë tre deputetët e Vlorës që…

0
76

Partia Socialiste duket se është mbërthyer ditët e fundit nga debate dhe përplasje të brendshme. Shkak mësohet se janë bërë ndryshimet e fundit në qeveri, ku shumë deputetët socialistë mësohet janë shfaqur të pakënaqur gjatë bisedave me kolegët. Mësohet se ata kanë deklaruara se afrimi i ministrave anonim dhe pa kurrfarë kontribut në PS nga ana kryeministrit Edi Rama do të ketë kosto për Partinë Socialiste.

Ndërkohë një deputet i njohur i PS, i cili preferoi të mos identifikohej për publikun, i tha gazetës se këto ndryshime kanë lënë pakënaqësi tek Partia Socialiste sepse Rama nuk po konsultohet për vendimet që merr, por efektet siç theksoi ai, do të jenë fatale për këtë forcë politike. Pra duket qartë se Rama mund të gjendet përballë një situate të vështirë dhe se e sigurtë është se herët a vonë do të nisë lufta brenda PS edhe publikisht.

Rama “shuplakë” deputetëve

Nga ana tjetër, duket se kryeministri Edi Rama është i pakënaqur me disa deputetë socialistë, të cilët gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste i thumboi. “Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që janë këtu mes nesh që nuk kanë përmbushur akoma as minimumin etik të paraqitjes në kohë të detyrës për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve më mirë. Dua t’ju kërkoj ndjesë për ata deputetë që dalin në punë vetëm për të më shoqëruar mua, apo që shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence.

Dua të kërkoj ndjesë për ata deputetë që ju del zëri vetëm kur trokasin në zyrat e shtetit për punët e tyre, apo edhe për ata deputet që kanë zbritur në sallë nga tryeza e qeverisë, duken në foltoren e Kuvendit njëherë në hënë dhe flasin sikur kanë ardhur nga Hëna”, deklaroi mes të tjerash kryesocialisti rama këtë të dielë teksa ishte duke folur në Kongresin e PS. Por kjo ishte një pjesë e shkurtër e fjalës së kryesocialistit Edi Rama që shigjetonte deputetët, siç i quajti ai, përtacë të Partisë Socialiste. Rama nuk përmendi emra deputetësh për të cilët kishte vërejtje, por përmendi emrin e Vullnet Sinajt si deputeti model.

Sinaj është deputet i Qarkut të Vlorës, ndërsa kanë dalë emrat e të paktën tre deputetëve socialistë të po këtij qarku që Kryesocialisti shpalli “non-grata” nga punimet e Kongresit të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për deputetët Pranvera Resulaj, Anduel Tahiri dhe Ilir Metaj. Asnjëri prej tyre nuk ishte në sallën e Pallatit të Kongreseve të dielën dhe madje edhe në një kërkim të thjeshtë që iu bëmë profileve të tyre në rrjetet sociale, rezulton se ata nuk kanë ndarë foto nga Kongresi, për të treguar se kanë qenë prezent, ndryshe nga kolegët e tyre socialistë që kanë hedhur foto nga mbledhja e organit më të lartë të partisë. Më shumë se sa zgjedhje e tyre për të munguar, arsyeja kanë qenë kritikat e Ramës.

Madje burimet pohojnë se Rama ka shfaqur pakënaqësi ndaj tre deputetëve për mungesë angazhimi në takime periodike me bazën, mosangazhim në rrjetet sociale si dhe për përçarjen e degës së partisë në Vlorë. Vërejtjet ndaj tyre, siç pohojnë burimet, janë shprehur edhe më parë në mbledhjet e grupit parlamentar socialist, apo strukturave të tjera drejtuese të partisë, në rang qendror dhe rang vendor. Sipas burimeve, tre deputetët fajësohen nga Edi Rama kush më pak dhe kush më shumë për përçarjen e degës së Partisë Socialiste në Vlorë dhe për ndërhyrje te institucionet e tjera vendore dhe qendrore në proceset e punësimeve të reja. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here