Zbardhet dëshmia në SPAK që nxjerr zbuluar lidhjet e Arben Ahmetajt me Klodian Mërtirin, dalin për here të parë detaje nga aksidenti në Kumanovë ku mbetën të plagosur pasi humbën avionin për në Rumani, si erdhi i mori ambulanca nga Shqipëria
Elmas Bogdani
Një nga dëshmitë të dhënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) sa i takon lidhjes miqësore të ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj me Klodian Mërtirin janë dhëniet e Artan Gjokajt. Ky i fundit rezulton të jetë personi me lidhje më të ngushta më Ahmetaj, ku ka mbajtur disa poste të rëndësishme dhe me lidhje të ngushta familjare. Në fashikullin e prokurorisë është renditur dhe dëshmia e tij sa i takon një episodi të ndodhur në Kumanovë disa vite më parë. Ai ka treguar për një aksident në Kumanovë ku pjesë e bordit të makinës ka qenë edhe ai vetë. Ai ka treguar se kur kanë ikur në Rumani ka qenë bashkë me Arben Ahmetaj dhe Klodian Mërtiri dhe kanë udhëtuar me një makine Range Rover, i cili ka qenë makinë me leasing, ngjyrë e errët.
Artan Gjokaj ka treguar se kanë qenë në Selanik për të udhëtuar drejt Rumanisë por që më pas e humbën avionin. Në të tilla kushte ata vendosën të shkojnë me makinë në drejtim të Bukureshtit. Pasi kanë qëndruar rreth 3 net në kthim kanë pësuar një aksident në Maqedoninë e Veriut, raporton “Ora Neës”. Ai ka treguar së në makinë ka qenë bashkë me Arben Ahmetaj, Leonard Menen dhe Klod Mërtirin, ky i fundit në rolin e shoferit. Të gjithë kanë marrë ndihmë mjekësore në Maqedoninë e Veriut. Aksidenti ka ndodhur në Kumanovë kurse ndihmën mjekësore fillestare e morën në vendin e ngjarjes. Pas kësaj ata kanë shkuar në spitalin e Shkupit, ku pas dy ditësh ka ardhur një ambulancë nga Shqipëria për t’i marrë.
Dalin detaje nga jeta e Ahmetajt në Zvicër
Ndërkohë Arben Ahmetaj, i cili është ish-funksionari më i lartë shtetëror, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme rezulton se prej 20 shtatorit të vitit 2023 ka statusin e azilkërkuesit në shtetin e Zvicrës. Dokumentat tregojnë se ai është mbajtës i kësaj leje qëndrimi në këtë shtet deri me datën 9 Janar të këtij viti. Të dhënat flasin se ai ka dhënë të njëjtën adresë banimi në dokumentet për plotësimit si të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha.
Sipas gazetarit të “Ora News” Edison Vatnikaj, një tjetër e dhënë që del nga Prokuroria e Posaçme mbi ish-zv kryeministrin Ahmetaj që sipas policisë atje ai ka një identitet të dytë. Ky identitet sipas raportit të siguruar ka të njëjtën emër dhe mbiemër, por ndryshimi qëndron pikërisht tek ditëlindja e Arben Ahmetaj. Në shkresën me identitet të dytë rezulton se ditëlindja 27 qershor 1969 në vend të datës 28 qershor datë kjo e lindjes së tij.
Ish-zv/kryeministri kërcënon Ramën
Ndërkohë vlen të theksohet se ish-numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga Zvicra ku qëndron në arrati pasi ka kërkuar azil politik. Intervista do të zhvillohet gazetarin Çim Peka ditën e hënë 29 korrik, pra sot në “Syri Tv”. Sakaq, televizioni i familjes Berisha ka publikuar një insert të intervistës së regjistruar, ku Ahmetaj thotë se e kanë kërcënuar nëse flet. “Më thanë do shkosh në të s’ëmës, do t’i lëmë fëmijët jetimë, do të fusim në burg gruan dhe ish-gruan nëse ti flet. Por unë tani do flas”, thotë Ahmetaj në insertin e publikuar nga televizioni i familjes Berisha.
Po në këtë televizion, Arben Ahmetaj dha një intervistë dhe rreth 5 muaj më parë ku hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij. Ndërkohë, Ahmetaj u prononcua përmes një kamere të fshehtë edhe për emision “Report” të RAI, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka lidhje me krimin e organizuar. Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjen e pasurisë. Gjithashtu, ai është nën hetim edhe për dosjen “Buka”.