Rigels Seliman
Kryeministri Edi Rama shkaktoi dje “tërmet” në qeveri, duke shkarkuar ministrin e Financave, Ervin Meta; ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi. Vendimi i Ramës ishte surprizë, pasi askush nuk e dinte, madje dhe vetë protagonistët. Por gazeta “SOT” e paralajmëroi pak ditë më parë se Mete, Peleshi dhe Balla do të bëheshin “kurban” nga shefi i qeverisë dhe kështu ndodhi. Ndërkohë që sot, gazeta ka mësuar detaje të tjera, se çfarë e ka shtyrë kryeministrin Ram të bëjë largime ministrash. Mësohet se zoti Ervin Mete nuk ka pranuar të firmosë disa vendime antiligjore. Kryeministri Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku kanë pasur përplasje me Meten, i cili nuk iu është bindur. Kështu që në këto kushte dhe kur ish-ministri i Financave refuzonte kërkesat e Ramës dhe Ballukut, zemërimi i naltmadhënisë (kryeministrit) është rritur, duke e detyruar këtë të fundit të shkarkojë zotin Ervin Mete.
Nga ana tjetër, mësohet se Taulant Balla është shkarkuar pas përplasjeve që ai ka pasur me kryeministrin Edi Rama sa i takon drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Zoti Balla synonte ta zëvendësonte Rrumbullakun me drejtorin e policisë së qarkut të Durrësit. Mirëpo këto divergjenca nuk i kanë pëlqyer kryeministrit Rama, i cili zgjodhi ta përdoret zotin Balla për të hartuar dhe prezantuar ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ndërkohë që më pas e shkarkoi. Madje ka zëra se një arsye tjetër se përse Balla u bë “kurban” janë edhe përgjigjet e “SKY”, ku ministra, kupola e policisë dhe efektivë janë përfshirë në afera korruptive e kriminale.
Ndërkaq, mësohet se Niko Peleshi është shkarkuar, pasi ky i fundit është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferat e pronave në ushtri. Shumë prona të Forcave të Armatosura u janë dhënë njerëzve të Ramës si oligarkë apo biznesmenë të ndryshëm. Kështu që duke qenë se Peleshi ka llogari të hapura me drejtësinë, Rama zgjodhi ta largojë. Pra të gjitha këto tregojnë se kryeministri Edi Rama deri diku ka qenë i detyruar për të shkarkuar ministrat Ervin Mete, Taulant Balla dhe Niko Peleshi, pas përplasjeve me ta dhe për faktin se disa prej tyre po hetohen nga SPAK.
Reagon Peleshi
Ndërkaq Niko Peleshi, i cili më parë mbante detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ka reaguar dje për mediat pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, për të cilin theksoi se nuk kishte dijeni. Megjithatë zoti Peleshi ka mirëpritur postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së dhe largimin si ministër. “Ky ishte një Kongres i rëndësishëm dhe priteshin nisma e ndryshime. Do doja mos të kuptohej kaq ngushtë, Rama ka ambicie të mëdha për Shqipërinë 2030. Nuk e kam ditur… Për një njeri që është 100% aktiv në politikë, me mua s’ka nevojë për konsultime sepse jemi 100% në këtë betejë”, deklaroi ai në një prononcim për mediat. Pas largimit si ministër i Mbrojtjes, zoti Niko Peleshi u emërua kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Basha sulmon ministrat e rinj
Ndërkohë kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me Kongresin e Partisë Socialiste. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Basha deklaron se pas mbylljes së pazarit me Berishën për mbylljen e listave, Rama do e mbushë qeverinë dhe parlamentin me anonimë që nuk e kërcënojnë pushtetin e tij dhe do e mbrojnë atë nga drejtësia. “Tumori i Shqipërisë është koka e qeverisë. Të tjerat janë metastaza, që sado t’i shkulësh nuk e shëron të keqen që ka mbërthyer vendin. Tani që mbylli pazarin me Sali Berishën, do e mbushë qeverinë dhe Parlamentin me anonimë që nuk e kërcënojnë pushtetin e tij dhe do ta mbrojnë nga drejtësia. Gjithçka për karrigen dhe pushtetin e tij në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shkroi Basha.