Një sërë ndryshimesh në qeveri ka njoftuar kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij në Kongresin Zgjedhor të PS-së. Rama bëri me dije se Taulant Balla do të largohet nga posti i ministrit të Brendshëm dhe do të marrë detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Ervin Hoxha.
Po ashtu, Niko Peleshi është larguar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes, post që do t’i kalojë Pirro Vëngut. Ky i fundit aktualisht mban postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit. Peleshi do të marrë drejtimin e Grupit Parlamentar Socialist, duke zëvendësuar Bledi Çuçin, i cili u propozua të marrë detyrën e nënkryetarit të Parlamentit.
Ndërkohë është larguar nga posti i ministrit të Financave Ervin Mete, ndërsa në vend të tij do të emërohet Petrit Malaj, i cili aktualisht mban postin e kreut të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).
Nga ana tjetër, vendin e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit do ta zërë Elisa Spiropali. Emri i saj u propozua nga kryeministri Rama, i cili kërkoi të gjithë mbështetjen e grupit parlamentar socialist.
“Do t’i propozoj Grupit Parlamentar që në një seancë të menjëhershme dhe të posaçme të Kuvendit, t’i japim të gjithë mbështetjen tonë Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit Do të propozoj që Bledi Çuçi të marrë detyrën e nënkryetarit të Parlamentit ndërsa Niko Peleshi drejtimin e Grupit Parlamentar Socialist. Propozimet për disa ndryshime në qeveri si më poshtë: Ministër shteti për Marrëdhënien me Parlamentin Taulant Balla, ministër i Brendshëm Ervin Hoxha, ministër i Financave Petrit Malaj dhe ministër i Mbrojtës Pirro Vëngu”, tha Rama.
NDRYSHIMET
– Niko Peleshi- Drejtim i Grupit Parlamentar PS
– Taulant Balla – Minister Shteti per Marredhenie me Parlamentin
– Minister i Brendshem – Ervin Hoxha
– Minister i Financave – Petrit Malaj
– Minister i Mbrojtes – Piro Vengu
































