Airbnb’ shënon shifra rekord, dyfishohen net-qëndrimet, sa po fitohet nga qiraja ditore

0
48

Ndërsa në vend ka një debat se pse shezllonët në plazhe janë në një pjesë të madhe bosh, duket se janë shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës ata që i kanë “braktisur” plazhet, teksa kanë qenë dhe frekuentuesit më të rregullt të tyre.
Shtetasit shqiptarë një pjesë kanë ikur në emigracion (Censi tregoi 420 mijë shqiptarë më pak se në 2011), ndërsa pushuesit
nga Kosova kanë më shumë alternativa pas heqjes së vizave nga janari i këtij viti.

Turistë të huaj në vend ka, por ata kanë një tjetër model të shpenzuari të kohës, duke mos ndenjur gjithë ditën në hijen e çadrës të ulur një vend, por edhe duke shëtitur nëpër qytete e zona malore. Shtrirja e vizitave përgjatë gjithë vitit është një tjetër dukuri e turistëve të huaj.
Një tregues, që mat direkt ecurinë e turistëve të huaj në vend janë net- qëndrimet në strukturat akomoduese me qira, rezulton me një rritje të ndjeshme, të paktën deri në fund të qershorit.

Të dhënat e Airdna, e cila mat performancën e njësive të njësive akomoduese që jepen me qira përmes platformës Airbnb, të vëna në dispozicion për “Monitor”, tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit kërkesa për net -qëndrimi në këto struktura pothuajse është dyfishuar.
Në total, për 6 mujorin e parë 2024 në strukturat Airbnb janë shënuar 412 mijë net të prenotuara, me rritje prej 97% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me 6 mujorin e parë 2022, net qëndrimet pothuajse janë trefishuar.

Vetëm në qershor, periudhë që përkon me fillimin e plazhit u shënuan gjithsej 140 mijë net të prenotuara përmes platformave Airbnb, me një rritje prej 90% me bazë vjetore.
Të dhënat tregojnë për një shtrirje të vizitave drejt Shqipërisë përgjatë gjithë vitit, me net-qëndrimet në shkurt dhe mars që u rritën me 108%. Rekordin e shënoi maji, ku prenotimet ishin 118% më të larta se maji i një viti më parë (shiko grafikun Numri i netëve të prenotuara me Airbnb).
Ulet lehtë mesatarja e qëndrimeve
Koha mesatare e qëndrimit të turistëve të huaj sipas të dhënave nga Airdna është mesatarisht 3 net. Ndonëse ka pasur kërkesë të shtuar në pjesën e parë të këtij viti, ata po qëndrojnë më pak. Në qershor 2023, mesatarja e net qëndrimeve ishte 3.1, ndërsa në të njëjtin muaj të këtij viti ka zbritur në 2.9.
Periudha më e gjatë e qëndrimit është në korrik dhe në gusht, me përkatësisht 3.4 dhe 3.6 net qëndrimi, sipas të dhënave për vitin 2023.

Kërkesa e lartë rrit çmimet e qiradhënies
Në qershor, çmimi mesatar ditor që jepej një strukturë akomoduese arriti në 67 dollarë, nga 47 që ishte në janar dhe 10% më i lartë sesa e njëjta periudhë e një vit më parë. Përgjithësisht qiraja është më e lartë me afrimin e sezonit dhe kulmon në korrik e gusht. Në gusht të vitit të kaluar, mesatarja e qirasë arriti në 78 dollarë, nga 68 dollarë në gushtin e vitit 2022. (Shiko grafikun: Qiraja mesatare ditore (USD), janar 2022-qershor 2024)

Apartamenti është i zënë maksimumi gjysmën e kohës
Nëse e nxjerr shtëpinë me qira ditore nuk e ke të garantuar prenotimin çdo ditë, teksa gjithçka do të varet nga kërkesa.
Të dhënat e Airdna bëjnë të ditur se norma maksima e zënies arrin në rreth 60% në kulmin e sezonit në gusht, që do të thotë se nga 30 ditë, shtëpia siguron të ardhura për 18 ditë. Kërkesa më e ulët në 2024 ishte në janar, me një normë zënieje prej 32%, për tu rritur gradualisht në qershor, në 51%. (Shiko grafikun: Norma e zënies)

Sa fitohet në ditë nga qiradhënia
Nëse me qiranë mujore ke një të ardhur me vlerë relativisht më të ulët se nëse do e jepje me qira ditore, pagesa është e garantuar. Nëse e jep shtëpinë më qira ditore duhet të mbash në konsideratë se zënia e saj do të varet nga kërkesa, mund ta kesh të zënë 30 ditë, apo 3 ditë, ose mund të rrijë dhe bosh gjithë muajin.
Të dhënat e Airdna bëjnë të ditur se e ardhura ditore për dhomë të disponueshme (duke marrë në konsideratë çmimin ditor dhe normën e zënies) luhatet nga 17 euro (kryesisht në janar kur si çmimi ditor dhe norma e zënies janë më të ulëta) dhe norma në maksimumi 50 euro gjatë gushtit. E përkthyer në një të ardhur mujore, nëse e jepni shtëpinë me qira ditore fitoni mesatarisht midis 500 deri në 1500 euro në muaj. (Shiko grafikun: E ardhura ditore për dhomë të disponueshme)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here