Google search engine
Home Politike Plas në PD, Tritan Shehu sulmon Gazment Bardhin dhe Rudina Hajdarin pasi...

Plas në PD, Tritan Shehu sulmon Gazment Bardhin dhe Rudina Hajdarin pasi dolën kundër Berishës

0
64

Rigels Seliman

Kalimi i vulës së PD-së nga Lulzim Basha në duart e Sali Berishës duket se nuk ka sjellë qetësinë e munguar brenda Partisë Demokratike. Gazeta “SOT” ka mësuar se “lufta” brenda llojit në PD-në e Berishës të rilindur me afrimin e grupit të Gazment Bardhit është thelluar dhe duket se nuk do të jetë e lehtë për protagonistët e saj. Kështu “benzinë zjarrit” të debatit i ka hedhur dje deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili ka dalë kundër deklaratave të ish-deputetes Rudina Hajdarit se Sali Berisha nuk duhet të jetë lideri i PD dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demorkatike. Madje në disa dalje edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi e ka lënë të nënkuptohet që Berisha s’duhet të jetë kandidati për kryeministër.

Ndërkohë që kundërshti të hapur kundër Sali Berishës e kanë shfaqur edhe figura të spikatura brenda Partisë Demokratike, si deputeti Dashnor Sula. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, Shehu i quajti deklarata boshe, ndërsa theksoi se Berisha do jetë kandidati për kryeministër i PD në zgjedhjet e 2025. “Diskutime bosh, e përcakton elektorati i PD, anëtarësia, se kush do jetë kryetari i PD. E ka caktuar që është Sali Berisha. Çdo forcë politike serioze paraqitet në zgjedhje me kandidat me kryetarin e saj. Ata që kanë mendime ndryshe nuk njohin rregullat themelore dhe të përfaqësimit në politikë”, deklaroi Shehu.

Ndërkohë i pyetur nëse PD është e hapur për pranimin e figurave si Alibeaj dhe Basha, Shehu u shpreh se dera është e hapur për të gjithë ata që bëjnë opozitë. “Me emra nuk flas, PD është e hapur për të gjithë ata që duan të bëjnë opozitën. Ta gjykojë PD dhe opinioni gjithkënd si emër bën apo jo opozitë. Ne luftuam kundër bakërizimit të PD, për të mbajt të hapur, jo me dyer hekuri, por për ta kthyer në një parti me dyer të hapura për ata që duan të bëjnë opozitë. Çdo gjë që është në statut është e mundur, kjo u bë edhe për të bashkëjetuar në. Krijimi i fraksionit i krijon atyre që kanë një mendim ndryshe brenda kuadrit të përgjithshëm të partisë, të kenë përfaqësimin e tyre”, deklaroi Shehu.

Hajdari “shuplakë” Berishës

Ndërkaq një “shuplakë” Sali Berishës ia ka dhënë edhe ish-deputetja Rudina Hajdari. Teksa ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të Partisë Demorkatike, zonja Rudina Hajdari ka ripërsëritur bindjen e saj se kjo forcë politike ka nevojë për një frymë të re. Hajdari kërkoi që PD të futet në zgjedhje me një tjetër kandidat, jo me ish-kryeministrin Berisha. “Kënaqësi që jemi të bashkuar sot. Sonte është një fitore e madhe për të gjithë demokratët. Me betejën e drejtuar nga lideri i PD Berisha u bë i mundur bashkimi dhe rikthimi i flamurit të PD.

Jam dakord me çdo pikë dhe presje me rezolutën. Na ndajnë 9 muaj nga zgjedhjet e ardhshme. Kam respekt te jashtëzakonshëm per Sali Berishën si politikan. Z Berisha ka bere beteje te jashtëzakonshme për PD dhe vendin. Por e rëndësishme është të diskutojmë për te ardhmen e PD-se. Duhet te shohim nje parti për të ardhmen ndoshta 15 vitet e ardhshme, që nuk ka në qendër vetëm nje person por të një grupi njerëzish. Z Berisha ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Do propozoja që PD te futet në zgjedhje me një kandidat tjetër për kryeministër jo z. Berisha. Kandidati për kryeministër te futet ne gare”, mësohet të jetë shprehur Hajdari.

Sula kundër Berishës: Nuk duhet të jetë kandidat për kryeministër

Nga ana tjetër, edhe deputeti i Partisë Demorkatike, Dashnor Sula ka dalë këtë javë hapur kundër Sali Berishës. Gjatë një prononcimi për mediat, ai theksoi se PD rrezikon të kthehet në OJF pas zgjedhjeve të 2025 dhe kjo pasi sipas tij, Berisha mund t’i çojë sërish në disfatë. “Jo më larg se dita e dielë në Francë. Është shembulli më tipik. Kur e ke seriozisht për fitore do të bësh pakte me të gjitha. Ka dy momente politika shqiptare. 2005 me KOP, Berisha solli risi tjetër dhe njerëzit. Edhe në 2013 aleanca e qelbësirave solli ndryshim. Një lider do duhet të përdori të gjitha mjetet e moralshme për të çuar forcën politike për të fituar. Nuk e ka luksin që të lësh jashtë vathit këdo qoftë, jo forca politike por edhe individë. Kam qenë që nga shtatori që kam ngritur tezën e një qeverie hije.

Do duhet një ngjizje mes Berishës, është fakt që Berisha ka më shumë mbështetës se ne, por të ketë simbiozë mes mbështetësve të Berishës. Do doja që nga Berisha: që Sali Berisha ka qeverisur për vite, nuk do qeveris më këtë vend. Do ta qeveris ky kryeministër, kjo qeveri. Unë përfaqësoj popullin opozitar. Berisha mund të fitoj garat personale, por nëse nuk e çon opozitën në fitore në 2025 është dështim. PD rrezikon të kthehet në OJF pastaj. Ndodh që fatkeqësisht shpëtimi tek Berisha. Nuk duhet të ndodhte kështu. Të ikë Rama sot, Erion Veliaj ka kryer punë. Më thuaj sot, këta lënë tokë të djegur prapa”, deklaroi ai. Sa i përket ardhjes së mundshme të Argita Malltezit në krye të PD-së, për Sulën nuk është normale. “Kam bërë deklaratë, Bardhi është më finok në përgjigjen e tij.

Sot nuk jemi vakancë. Nëse ndodh që Berisha jep dorëheqjen dhe vjen Malltezi është jo normale. Edhe vetë Berisha po ta shikosh nga pikëpamja politike nuk ka përfshirë familjen e tij. Unë nuk jam për të përjashtuar njeri. Sa të jetë gjallë Berisha nuk bën gabime që të trashëgojë partinë dorë të vajzës. E kam bindjen që nuk ndodh kjo gjë. Them se Berisha do duhet të risi të rinjtë dhe të rejat, tu jap besim. Nuk do jetë gjithmonë mbi tokë”, nënvizoi Sula.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here