Demrozi i Egnatias i irrituar me serbët e Banja Lukës: Na fyen dinjitetin kombëtar, çështjen do ta ndjekim

0
45

Skuadrat tona që luajnë në kompeticionet e UEFA-s po përballen me fyerje dhe racizëm në çdo stadium të vendeve sllave. Një rutinë e përditshme e iniciuar nga Serbia dhe aleatët e saj, por edhe Rusia. Thirrjet antishqiptare ishin masive nga tifozeria serbe edhe në Europianin e Gjermanisë, por UEFA gjeti kohë të mjaftueshme të ndëshkonte Shqipërinë për sjelljen e keqe të tifozëve të saj. Hajde merre vesh ku i ka sytë kjo UEFA! E përse e bëri këtë UEFA? Sepse kërkesa e Serbisë ishte ose të dënohen shqiptarët ose ne e braktisim Europianin.

E për të qetësuar serbët UEFA ka gjetur zgjidhje të dënojë shqiptarët. Por deri kur kështu?! Rasti i Banja Lukës, ku Egnatia u fye, ku lojtarëve u rrezikohej jeta nga mjetet e hedhura në fushë, ku thirrjet antishqiptare ishin nga më të rëndat, në sytë e zyrtarëve të UEFA-s, nuk duhet të kalojnë lehtë e kjo me sa duket është dhe në opbjektivat e prezidentit të Egnatias, Agim Demrozi, i cili thotë se është fyer dinjiteti kombëtar.

Situata dhe qëndrimi i Demrozit

Kampionia e Shqipërisë u mposht 1:0 në ndeshjen e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Borcit të Banjallukës e cila u zhvillua në kryeqendrën e Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë. Ndeshja u ndërpre për disa minuta pas thirrjeve “Kosova, Serbia”. Ka pasur edhe flamuj provokues, ndërsa Egnatia e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak. Pati ankesa edhe për gjyqtarin polak për drejtësi të njëanshme. Demrozi ka zbuluar se ekipi është sulmuar edhe në bankën rezervë. Në këto kushte, siç thotë ai, futbolli kaloi në plan të dytë. Për të, nuk ka kuptim që në një garë të UEFA-s të ndodhin këto gjëra. “U befasuam dhe natyrisht u mërzitën kur pamë pankarta dhe banderola ku shkruhej “Kosova është zemra e Serbisë”. Egnatia ka lojtarë kosovarë dhe natyrisht kjo nuk ishte e lehtë për ta.

U munduan ta heqim vëmendjen nga tribuna, pasi kërkonim të merrnim një rezultat pozitiv në fushën e lojës. Arbitrimi ishte skandal, as për kategoritë inferiore në kontinentin afrikan. Nuk e kuptoja sesi jepeshin kartonët e verdhë nga gjyqtari. Na goditën me sende të forta në stolin ku qëndronte ekipi. Fyerjet kundrejt nesh ishin evidente gjatë gjithë lojës dhe në këto kushte fatkeqësisht futbolli kaloi në plan të dytë. Kërkuam ndërprerjen e lojës, pasi nuk po na mundësoheshin kushtet më minimale. Të ndodh kjo në kompeticionin më të madh për klube është një turp i madh. Drejtori sportiv, Klejdi Zenelaj, ka kërkuar informacion për gjithçka ka ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Do ta ndjekim këtë çështje edhe në instanca më të larta ligjore, pasi na fyen dinjitetin kombëtar, në kushtet kur ne nuk kishim as tifozë as nuk provokuam askënd. Megjithatë, falënderoj të gjithë klubin për gjithçka prodhoi dhe kam besim të hekurt se me 17 korrik do të bëjmë përmbysjen e madhe”, tha Demrozi.

Mbetet të shihet nëse UEFA do të hapë hetim për Borac Banja Lukën dhe nëse do të ketë penalitete ndaj saj. Por e sigurt është se nuk do të ketë ndëshkim në rezultat, prandaj Egnatias i del për detyrë ta mposhtë rivalin në fushën e lojës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here