Reali i Madridit kompletoi pak ditë më parë ardhjen e sulmuesit Kilian Mbape, i cili nga fundi i kësaj vere e në vijim do të luajë për fanellën e bardhë “Los Blancos”, me shpresën se ëndrrën e tij të madhe për të patur një trofe të Champions League që nuk e realizoi dot me Paris San Zhermen, do të mund ta bëjë realitet me klubin e madh spanjoll. Por, ndërkohë, ka zhvillime në kampin madrilen, pasi klubi po punon edhe për epokën pas Mbape, pra po piketon yjet e së ardhmes. Kilian Mbape këtë verë dhe Florian Virtz verën e ardhshme. Shtypi sportiv spanjoll dhe gjerman raportojnë se Reali i Madridit ka arritur na parim marrëveshjen me Bayer Leverkusenin për të transferuar 21-vjeçarin në kryeqytet në 2025. Rreth 150 mln euro pritet të paguajnë “Los Blancos” në arkat e “Aspirinave”. Që edicionin e fundit siguruan fitimin e titullit kampion të parë në histori – pa pësuar asnjë humbje – gjithashtu edhe të Kupës së Gjermanisë. Futbollisti i talentuar pëlqehet shumë edhe nga Barcelona, por problemet financiare kushtëzojnë katalanasit. Ndërkohë, milionat nuk janë problem për Realin dhe presidenti Florentino Perez nuk ka humbur kohë për të përforcuar skuadrën për verën e ardhshme. Virtz e mbylli sezonin e fundit me skuadrën e Ksabi Alonsos me 18 gola dhe 20 asistime për shokët e skuadrës. Ai është gjithashtu është pjesë e listës së kombëtares gjermane në Euro 2024. Dhe një ndër më të rëndësishmit tek ekipi i Nagelsmann, pavarësisht moshës së re. Mesfushori i avancuar do të luajë edhe sezonin e ardhshëm me Leverkusenin. Për të nisur më pas një aventurë të paharrueshme te rekordmenët e futbollit spanjoll dhe atij europian. Brazili ka nisur përgatitjet për Kupën e Amerikës, teksa pesë herë Kampionët e Botës luajtën miqësoren e parë ndaj Meksikës. Një takim që në fakt e fituan me rezultatin 2-3 vetëm falë një goli të Endrick në minutën e 96. Ishte një kombinim mes lojtarit më të ri të Realit dhe Vinicius Junior që gëzoi “Selecaon”. Vinicius harkoi në zonë dhe aty Endrick si një sulmues i vërtetë shënoi me kokë duke i dhuruar fitoren skuadrës së tij. Kujtojmë se 17-vjeçari (mbush 18 në korrik) do t’i bashkohet Real Madrid në sezonin e ardhshëm aty ku me siguri do të ketë mundësi për të tjera kombinime me Vinicius Junior. Për tu kthyer tek blerjet, duhet thënë se Reali i Madridit ka vite që menaxhon në mënyrë perfekte projektet dhe sukseset e tij, duke qenë klub i pathyeshëm, sidomos me 15 titujt që ka fituar në UEFA Champions League.










































