Si u vodhën armët në bazën ushtarake e Pashalimanit dhe autorët nuk u zbuluan kurrë, Artur Meçollari nxjerr detajet tronditëse

0
85

Kapiteni i rangut të parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare, Artur Meçollari ka nxjerrë detaje të forta për dosjen “gjysmake” të vjedhjeve të armëve në Pashaliman. Sipas tij, arma e përdorur në Francë më 14 korrik 2016, dyshohet se është vjedhur në Bazën Detare të Pashalimanit më 11 janar 2019. Skandali u zbulua në datën 11 janar 2019 dhe sipas Meçollarit “armët nuk janë marrë në këtë datë, por është improvizuar vjedhja me thyerje.

Çfarë ka ndodhur?

Meçollari ka rrëfyer se çfarë ka ndodhur realisht në datën 11 janar 2019. “Në mëngjesin e datës 11 janar 2019 personeli i shërbimit deklaroi se ishte hapur depoja e armatimit në bazën detare të Pashalimanit. Ardhja e magazinierit verifikoi sasinë e armëve dhe municioneve të vjedhur. Policia Ushtarake me urdhër të prokurorit nisi hetimet. Po atë mbrëmje, si Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit të Ministrisë së Mbrojtjes jam urdhëruar të shkoj në Pashaliman. Shkova dhe verifikova situatën dhe pas inspektimit takova Komandantin e Policisë Ushtarake dhe disa OPGJ, të cilëve ju thashë se “armët nuk janë marrë mbrëmë, por mbrëmë është improvizuar vjedhja me thyerje”, fakt që kushdo që pa vendin e ngjarjes atë mbrëmje e ka bindje. Kjo për disa element që ishin të dukshëm në vendngjarje. Gjithashtu i thashë komandantit se “nëse dëshiron të zbulosh ngjarjen zbulo përse filan nënoficer që nuk ishte epror i rojës, i ka thënë rojës të shkojë të flejë gjumë”. Policia Ushtarake nisi hetimin dhe bëri kallëzim penal personelin e shërbimit. Kallëzim i drejtë. Po për vjedhjen? Sot mbas kaq shumë vitesh ku jemi? Personeli i shërbimit është dënuar me vendim të formës së prerë për “shpërdorim të detyrës”, por kush i vodhi armët nuk është zbuluar ende. Magazinieri dhe nënoficeri që i tha rojes të flenë gjumë janë ende në Forcat Detare. Po përgjegjësit të rojes, ndërsa ishte i ndaluar, kush ia hodhi fishekët tek oborri i shtëpisë disa ditë më pas? Fakt ky që nuk doli gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor”, tha Meçollari

Thirrja për drejtësinë

Meçollari thotë se nuk është thirrur kurrë të dëshmojë për këtë ngjarje. Sipas tij, aty janë dënuar disa ushtarak për shpërdorim detyre, por askush për vjedhjen e armëve. Ai thotë se është gati të bashkëpunojë me drejtësinë nëse Prokuroria e Vlorës rinis hetimin e çështjes së vjedhjes së armëve në bazën detare të Pashalimanit më 11 janar 2019. “Kuptohet, organizatori është shumë më lartë në hierarkinë ushtarake, prandaj dhe duhej fshehur e vërteta. Armët dhe municionet në depo janë marrë vite më parë. Në gjykimin tim, ato kanë dalë gjatë orarit zyrtar, qetësisht, pak nga pak dhe në 11 janar u improvizua vjedhja me thyerje. Po, ky është opinion. Thelbi është që hetimi nuk u bë se kush i vodhi armët, por kush nuk kreu detyrën e ruajtjes.  Si drejtuesi më i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes që kamë inspektuar vendin dhe ka dhënë një opinion që ditën e parë, unë nuk jam thirrur asnjëherë si gjatë hetimit dhe gjykimit. Dhe me këtë akuzë të ngritur nuk kisha pse të thirresha. U dënuan disa ushtarak për shpërdorim detyre, por askush për vjedhjen e armëve. Do ti sygjeroja Prokurorisë së Vlorës të rinisi hetimin e çështjes së vjedhjes së armëve në bazën detare të Pashalimanit më 11 janar 2019 dhe jam i gatshëm në çdo kohë të dëshmoj çfarë di për këtë ngjarje”, tha ai.

Çfarë ka ndodhur në Francë në vitin 2016?

Nga ana tjetër, Meçollari paralajmëron se nëse hetohet siç duhet kjo çështje, mund të fundosen shumë ish drejtues të lartë ushtarak të Forcës Detare. “Në 14 korrik 2016 në Nisë të Francës ndodhi një akt terrorist, ku ishte të implikuar edhe katër shqiptar, tashmë të dënuar nga gjykata franceze. Njëri nga të dënuarit është arrestuar në Itali.  Nga veprimet e Policisë Franceze dyshohet se arma e përdorur në korrik 2016 në Nicë të Francës është vjedhur në bazën detare të Pashalimanit në janar 2019. Nëse dyshimi i autoriteteve franceze provohet, kjo do të thotë në Shqipëri nuk ka patur hetime për vjedhjen e armëve në bazën detare të Pashalimsnit më 11 janar 2019, fakt i cili mund të implikoi shumë ish drejtues të lartë ushtarak të Forcës Detare dhe do të vejë në diskutim dënimin e ushtarakëve tashmë të dënuar për shkelje të rregullave të shërbimit”, përfundon reagimin Meçollari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here