SPAK po heton disa prej pronave të ushtrisë të cilat kanë kaluar në pronësi private, ndër to baza detare e Limionit në Sarande dhe zona të tjera. Ish-ushtaraku i lartë Artur Meçollari, i cili ka kallëzuar zyrtarë të lartë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me këto afera ka nxjerrë për herë të parë me zë dhe figurë provën që tregon qartë pazaret e pista që thurin politikanët, të cilët po luftojnë për të pasuruar veten e tyre dhe oligarkët që i rrethojnë. Z.Meçollari tregoi dje prapaskenat se si u lirua nga detyra me urdhër të Ministres së Mbrojtjes, në atë kohë Olta Xhaçka në bashkëpunim me Bajram Begajn. Ai ka nxjerrë detajet e një video me zë dhe figurë që mbart datën e 9 shtatorit 2020. “Ministrja e do të liruar Meçollarin sot. 9 shtator 2020 – Me zë dhe figure” e nis shkrimin Meçollari. “Mbas gati 4 vjet, nuk ka më dyshim se mbrapa ishte vetë Rama. Rama po lufton, për interes të oligarkëve, për të hequr “sekuestron preventive” të Bazës Detare të Limionit dhe po mbron dhe promovon të gjithë personat publik nën hetim nga SPAK. Unë personalisht nuk u çudita me betimin e Ramës për ndershmëri në Athinë. Po përse sot?”, shkruan Meçollari.
Skandali
Ish-ushtaraku i lartë tregon se Barjam Begaj e mori përsipër këtë mision duke manipuluar një komision fiktiv. “VKM dhe kontrata për Bazën Detare të Limionit ishin lidhur në kundërshtim me qëndrimin e Forcës Detare. Nën regjinë e Barjam Begajt më liruan nga detyra si zëvendëskomandant i Forcës Detare, por prapë nuk dorëzohej dot baza. Duhet të emërohej këmbësori që do ta dorëzonte. Në fund e dorëzoi një admiral. Por, ngecën në rrjetën e SPAK-ut. Atëherë duhej liruar Meçollari, pasi kështu bëhej nul propozimi që mbante Ilir Meta në sirtar për gradimin kundëradmiral të Meçollarit dhe legjitimohej këmbësori në krye të Forcës Detare. Barjam Begaj mori përsëri misionin tjetër. Thërret në zyrë, një nga një, shumë kolonel, derisa propozon për në Komisionin e Lirimit ata që pranojnë dhe i betohen për besnikëri. Dhe ai komision fiktiv dhe i manipuluar nga Olta Xhaçka dhe Barjam Begaj prodhoi këtë video. Pjesë e një video 4,5 orë të marrë me vendim të gjykate në dhjetor 2020, sepse Ministria e Mbrojtjes nuk pranonte të ma jepte. E kishin parë videon se çfarë kishin regjistruar. Kjo sekuencë është një nga shkeljet ligjore. Kryetari i Komisionit të Lartë Disiplinor ngritur ndaj Kapitenit të Rangut të Parë Artur Meçollari ju deklaron anëtarëve se: “Ministrja ndërkohë e do të mbyllur sot. I thashë që kam hallin e procedurës se ne e marrim vendimin duke dëgjuar vetëm njërën anë. Marrim vendimin. Por ai do thotë që unë jam I pambrojtur”, shkruan Meçollari.
Si tentoi ta blinte qeveria
Meçollari, personazhi që hapi “Kutinë e Pandorës” në Prokurorinë e Posaçme për aferën në Bazën Detare të Sarandës në të cilën janë të përfshirë zyrtarë shumë të lartë ka treguar pak kohë më parë se kryeministri Rama ka tentuar ta joshë me poste pas shkresës prej 21 faqe më 21 dhjetor 2020, tre muaj përpara se të bënte kallëzimin penal në SPAK. Sipas tij Rama nuk do t’ia dijë se cilat janë arsyet e hetimit për procedurat e lidhjes së dy kontratave dhe dorëzimin e Bazës Detare të Sarandës, pasi edhe pas paralajmërimit që i bëri ish-ambasadorja amerikane në zyrën e tij ai tha se Rama hoqi Xhaçkën nga Ministre e Mbrojtjes, po nuk hoqi dorë nga Baza Detare e Sarandës. “Përse Rama nuk do t’ja dijë cilat janë arsyet e hetimit për procedurat e lidhjes së dy kontratave dhe dorëzimin e Bazës Detare të Sarandës? Nuk ka më alibi. 1) sepse është informuar nga unë me një shkresë të gjatë prej 21 faqe (21 dhjetor 2020) tre muaj përpara se të bëja kallëzimin penal në SPAK (31 mars 2021). 2) nëpërmjet Agaçit më ka thirrur dy herë (14 shtator 2920) dhe më ka kërkuar ndjesë dhe më premtoi se do të revokonte urdhrin e lirimit tim nga FA. Rama e di se lirimi im erdhi për shkak të kundërshtive për Bazën Detare të Sarandës. 3) herën e dytë që më thirri Agaçi (23 janar 2021) më njoftoi propozimin e KM Rama që të merrja detyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Kryeministrit. 4) por më e rëndësishmja, sepse në datën 9 nëntor 2020, ora 17:30, Ambasadorja e SHBA Znj. Yuri Kim i ka rekomanduar Ramës në zyrën e tij të heqi dorë nga Baza Detare e Sarandës, si një akt korruptiv. Pra, KM Rama nuk thotë dot nesër, kur të dënohen personat nën hetim, se kanë ngrënë kumbulla dhe dardha në kurriz të tij. Rama hoqi Xhaçkën nga Ministre e Mbrojtjes, po nuk hoqi dorë nga Baza Detare e Sarandës”, shkruan Meçollari.