Edi Rama gati të ndryshojë kreun e socialistëve për Qarkun e Tiranës, pritet largimi i Erion Veliajt

0
160

Kryeministri Edi Rama po përgatitet të heqë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj si drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës. Burime bëjnë me dije se Rama pritet të vendosë në këtë post një figurë shumë të lartë brenda PS. Rama e bëri të qartë në mbledhjen e fundit se pritet të ketë ndryshime të forta në qeveri pasi iu ka mbyllur derën e kandidimit për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të gjithë zyrtarëve të lartë socialistë që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale dhe që kanë llogari të hapura me drejtësinë (SPAK). Një nga këta personazhe është edhe Z.Veliaj. Ky i fundit po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari para pak ditësh duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK. Prej disa ditësh Rama, por jep sinjale se marrëdhënia e tyre është krisur.

Rama “braktis” Veliajn

Jo më larg se dje, Rama ishte në Athinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, një pjesë e kabinetit qeveritar dhe nga kryebashkiakët e disa qyteteve. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, kryebashkiakja e Rosokevcit, Majlida Bufi, kryetari i bashkisë Sarandës, Oltion Çaçi, kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, krytari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha, kryebashkiakja e Lushnjës Eriselda Sefa, kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako etj. Po ajo që ka tërhequr vëmendjen është se teksa pothuajse gjithë kryebashkiakët e vendit ishin me Ramën në Athinë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk ndodhej atje. Kryebashkiaku i Tiranës thuhet se ishte për një vizitë në Venecia. Nuk dihet nëse ka diçka tjetër, apo ky angazhim ka bërë që ai mos i bashkohet takimit me emigrantët në Greqi, por duke parë rëndësinë që i ka kushtuar Rama kësaj vizite, nuk kishte se si mos të mungonte Veliaj. Nga ana tjetër, kryeministri dha para pak ditësh mesazhe të forta kur foli në përgjithësi për kryebashkiakun e korruptuar që fut duart në arkat e shtetit dhe xhepat e popullit, ku sipas tij, ai meriton vetëm përbuzje dhe është tradhtar. Indirekt ky mesazh dukej se i përcillej Veliajt, i cili është kryebashkiaku më i përfolur aktualisht për korrupsion. “Ashtu sikur dikush që është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkat e këtij shteti dhe xhepat e këtij populli, nuk është me ne. Nuk ka se si të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes. E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje politike që bën korrupsionin në funksionet publike është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar si çdo hajdut me kostum që merr çfarë nuk është e tij, por edhe i PS-së si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet”, u shpreh Rama.

Dy mesazhet e forta për Veliajn

Jo vetëm kaq, por disa ditë më parë, dhënia e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës” për Ali Ahmetin, e riktheu edhe njëherë Ramën në dyert e Bashkisë së Tiranës. Pritja në Bashki u bë nga kryetari Erion Veliaj, njeriu më i përfolur i ditëve të fundit në Shqipëri, për shkak të thirrjes së tij në SPAK, ku dëshmoi për aferën e inceneratorit të Tiranës. Por, ndërsa pak javë më parë Rama i doli në krah për arrestimin e ish-drejtorëve, dje kryeministri i dha 2 mesazhe të forta, që lënë të nënkuptohet se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur ndjeshëm. Së pari, sapo mori fjalën, Rama u shpreh se vetëm Ali Ahmeti mund ta rikthente në Bashkinë e Tiranës, duke treguar se nuk ka asnjë arsye që të vizitojë kryebashkiakun e tij në këto kohë kur ai po përballet me sulmet e vazhdueshme nga opozita dhe jo vetëm. Çfarë ndodhi më pas tregon në të vërtetë mendimin e Ramës për Erion Veliajn. Kryeministri publikoi një foto në të cilën ishte edhe Veliaj, por këtë të fundit e ka prerë, duke e postuar foton pa kryebashkiakun. Një mesazh i qartë për Veliajn, i cili sulmet e vazhdueshme do të duhet t’i përballojë i vetëm, teksa Rama tregon edhe një herë tjetër se i lëshon të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë, dhe këtë herë ishte radha e Erion Veliajt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here