Ministri i Financave, Ervin Mete është paraqitur dje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku është pyetur lidhur me hetimet për dosjen e inceneratorëve në cilësinë e personit që ka dijeni. Mësohet se Mete është marrë në pyetje për rreth 30 minuta për periudhën kur mbante postin e zv/ministrit të Ekonomisë dhe Financave, ministri që asokohe drejtohej nga ish-zv/ kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në arrati që prej qershorit 2023, ndërsa prej 24 korrikut është shpallur në kërkim ndërkombëtar nën akuzat për deklarim të rremë të pasurisë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore në 6 raste dhe pastrim parash. Dyshohet se Mete është pyetur për rolin dhe ndikimin që mund të ketë pasur Arben Ahmetaj në përcaktimin e fituesve për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.