Kukësi trondit Kupën e Shqipërisë, eliminon Partizanin dhe shkon në gjysmëfinale

0
131

Kupa e Shqipërisë u kthye këtë mesjavë me duelet e kthimit të turit çerekfinal, ku padyshim eliminimi i Partizanit regjistron momentin më emocionues të këtij aktiviteti, për më tepër që disfatën ia shkakton vendi i fundit në tabelën e Superiores, Kukësi, skuadër që nuk ka asnjë objektiv për trofeun dhe objektivi i vetëm i verilindorëve është qëndrimi në kategori. Por duket se Partizani nuk e vlerësoi sa duhet këtë kompeticion, teksa dje hasi në vështirësi të shumta. Edhe pse kishin fituar duelin e parë 1-0, të kuqtë nuk ia dolën të shkonin në gjysmëfinale. Përkundrazi, kualifikimi i Kukësit është padyshim surpriza më e madhe deri tani në Kupën e Shqipërisë. Në Tiranë, pjesa e parë nisi shumë mirë për “verilindorët”, me Kukësin që diktoi ritmin, ndërsa u shpërblye në minutën e 22-të, falë golit spektakolar të Hasajt. Goli ndryshoi humorin e Partizanit, që provoi të reagonte, me Taipin (32’) dhe Carën (34’) që kërkuan golin e barazimit, por pa sukses dhe kështu u mbyll pjesa e parë. Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat krijuan rastet e tyre, ndërsa në minutën e 69-të Mba i shkoi pranë golit, por nuk ia doli të kalonte pengesën e fundit, portierin Tafas. Dy minuta më pas, Taipi ishte pranë golit, por ish-i i kësaj sfide nuk gjeti koordinatat e duhura të portës së “verilindorëve”, me topin që preku edhe traversën. Me kalimin e minutave Kukësi mendoj vetëm për mbrojtjen, teksa pavarësisht volumit, Partizani vuajti mungesën e saktësisë përpara portës dhe ndeshja shkoi në shtesë. Në minutën e 93-të Tafasi bëri heroin për “verilindorët”, ndërsa të besuarit e Orges Shehit vizituan rregullisht portën e Tafasit edhe në minutat pasuese. Gjithsesi, në fund asgjë nuk ndryshoi, teksa gjithçka u vendos pas serive të penalltive, ku Kukësi fitoi 3-5. Verilindorët u treguan të gjithë të saktë, kurse për Partizanin gaboi Atanaskoski.

Egnatia më gjysmëfinale

Egnatia siguroi kualifikimin për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, teksa mundi dhe në ndeshjen e dytë Laçin me rezultatin 3-1 (ndeshja e parë 1-0 për rrogozhinasit). Debutonte te Laçi trajneri Armando Cungu, i cili e nisi me humbje aventurën te bardhezinjtë. Vendasit ishin dominues që në fillimin e lojës e pa u mbushur 20 minuta ia dolën që të shënonin golin e avantazhit. Aleksi shërbeu një top të gjatë për Montenegron, i cili, i vetëm me Dajsinanin, arriti që të gjejë rrugën e rrjetës. Në të 34-ën, rrogozhinasit ishin të pa fat, pasi Dajsinani dhe traversa më pas i mohuan golin Zejnullahit. Pak momente më vonë, një goditje e Ndrecës u ndal nga Manellari. Fillimisht arbitri akordoi faull për bardhezinjtë, por më pas Hamiti u thirr nga VAR dhe kryesori akordoi 11 metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë Aleksi u tregua i saktë dhe dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë nisi siç përfundoi e para me Egnatian që realizoi përsëri. Ibrahimoglu shërbeu një top në qendër, ku Montenegro, me portën e boshatisur, shënoi dhe të tretin për vendasit. Në vijim Laçi reagoi dhe në të 61-tën ia doli që të ngushtonte diferencën me Myrtan. Gjashtë  minuta më vonë, kurbinasit fituan një 11-metërsh, megjithatë nga pika e bardhë këtë herë Kryeziu u ndal nga Sherri. Mbyllet 3-1 me Egnatian në gjysmëfinale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here