FSHF zbulon kundërshtarin dhe datën e miqësores së dytë të muajit qershor

0
86

Kombëtaren e ndajnë edhe tre muaj nga nisja e finaleve të Kampionatit Europian Gjermani-2024, ku siç dihet Shqipëria është shortuar në grupin B me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, rivalë shumë të fortë e të vështirë, por njëherësh edhe motivues pasi lejojnë zhvillimin e një futbolli të hapur e modern. Për t’u paraqitur sa më mirë, Kombëtares i duhet të ketë një grup sa më cilësor, ku diferencën e bëjnë futbollistët më aktivë dhe me statistika më të mira me skuadrat e tyre europiane. Nuk do të jetë e lehtë, pasi trajneri Silvinjo e di vlerën e skuadrave rivale dhe kontigjentin shumë cilësor që ata kanë, por në këta tre muaj do të bëjë çmos të seleksionojë elementët e duhur për misionin e tij. Gjatë javëve të fundit ai ka patur kontakte me futbollistët, i ka takuar nga afër në vendet ku luajnë dhe ka një bazë të dhënash para se të shpalosë listën e lojtarëve për miqësoret e marsit. Por për Kombëtaren janë të rëndësishme edhe miqësoret e qershorit, pasi do të masin forcën e skuadrës në ditët para Europianit. Ndërkohë, në FSHF i kanë dhënë drejtim edhe në lidhje me miqësoren e fundit që do të luhet me Azerbajxhanin. Madje këtë herë federata i ka zyrtarizuar datat dhe oraret për të katër duelet miqësore para Europianit.

Miqësoret

Kili dhe Suedia do të jenë rivalët e parë në radhë me të cilët do të ballafaqohen kuqezinjtë, kurse në qershor me dy skuadra të tjera. Kështu, pas dakordësisë për të luajtur një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin, Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur gjuhën e përbashkët me Federatën e Azerbajxhanit për të zhvilluar një tjetër miqësore në muajin qershor, para nisjes së Kampionatit Europian “Gjermani 2024”. Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin do të luhet më datë 7 qershor, ndërkohë mbetet për t’u përcaktuar orari dhe stadiumi ku do të luhet kjo sfidë. Kjo do të jetë ndeshja e gjashtë në histori mes dy skuadrave, teksa Shqipëria numëron tre fitore, një barazim dhe një humbje kundër Azerbajxhanit. Kombëtarja shqiptare fillimisht do të luajë dy takime miqësore në muajin mars. Kuqezinjtë do të përballen me Kilin më datë 22 mars në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, duke nisur nga ora 20:45. Ndërsa tre ditë më vonë më datë 25 mars, Kombëtarja do të luajë me Suedinë në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit. Në muajin qershor Shqipëria do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore. E para me Lihtenshtejnin më datë 3 qershor, ndërsa takimi i fundit miqësor para nisjes së Europianit do të jetë ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor. Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here