Komisioni i Reformës Zgjedhore në duart e Bashës, PD zyrtare rrëzon primin dhe kërkon rikthimin e koalicioneve, Shehi braktis Berishën dhe aleatët e tij

0
69

Komisioni i Reformës Zgjedhore duket se është në duart e Lulzim Bashës. Nën drejtimin e 2 bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore u zhvillua dje online në orën 11:00. Në këtë seancë dëgjimore, të gjitha partitë politike ishin të ftuara për të dhënë propozimet e tyre. Opozita dhe mazhoranca dhanë propozimet e tyre se çfarë synojnë të arrijnë deri më 15 Mars kur dhe mbaron mandati i këtij Komisioni të Posaçëm. Shumica e përfaqësuesve të organizatave, propozuan krijimin e kushteve për votimin e qytetarëve me banim jashtë vendit, listat e hapura, votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme si dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Organizatat kërkuan mospërfshirjen e punonjësve të administratës në fushata elektorale, duke theksuar se ligji duhet të përcaktojë qartë se kur një punonjës i administratës mund të përfshihet në aktivitete të fushatave elektorale.

PD vendos vijën e kuqe

Ndërkohë Enkelejd Alibeaj në, si bashkëdrejtues i komisionit dhe përfaqësues i Partisë Demokratike vuri që në fillim vijën e kuqe. Konsensus dhe negociata, nuk do të ketë për një pikë, “sistemin e primit”. Ky sistem parashikon bonus në mandate për partinë e cila ka fituar shumicën. “Nuk ka shans të pranohet primi, siç është në sistemet e tjera. Sot është e udhës që shqiptarët të qeverisen nga ato forca politike për aq sa mandate dhe mbështetje i japin. Nëse doni të dini për mua, është mirë sistemi me koalicione sepse koalicionet kanë një mundësi të mirë që ti bien ndesh autokracisë së njëshit të partisë  që merr gjithçka”, deklaroi i prerë Alibeaj.

Shehu: Hapja e listave dhe votimi elektronik duhet të bëhen

Sakaq, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi propozoi një sistem proporcional për reformën zgjedhore, ndërsa u shpreh pro hapjes së listave deri në fund. Gjatë fjalës së tij nga mbledhja e Reformës Zgjedhore, Shehi tha se është pro votimit dhe numërimit elektronik. “Jam për zgjerimin e zonave. Do të isha i lumtur nëse do të bëhej një sistem proporcional. Jam pro listave që të hapen deri në fund. Një listë e hapur predisponohet që ka brenda dhe proporcionalin. Një tjetër pikë që kemi kërkuar, është që votimi të bëhet elektronik. Këtu ka dyshime për votimet elektronike, por besoj se me komisionerë na kanë ndodhur probleme. Kjo histori duhet të marrë fund, ndaj duhet ta bëjmë votimin elektronik. Po u bë në bashkitë e mëdha, duhet ta bëjmë dhe në bashkitë e tjera, ndaj duhet kurajë. Ja vlen që për demokracinë të harxhohen disa para. 2-3% të votave dhe mund të numërohen me dorë, por të bëhen elektronikisht që të hiqen këto zullume. Kjo është histori e vjetër e Shqipërisë. Po luhen miliona përmes elektronikës. Duhet të kthejmë te shqiptarët besimin te institucioni i votës”, deklaroi ai. Ndërkohë kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, theksoi se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë e vetme dhe nuk do të bashkohet nën siglën e Partisë Demokratike dhe Rithemelimit. Shehi ka folur edhe për bashkimin e Gazment Bardhit me Sali Berishën duke u shprehur kundër. “Unë nuk jam as me Bashën e as me Berishën, ne jemi më vete. S’na e japin këta certifikatën se kush është opozitar. Nuk jam as me njërin as me tjetrin. Shpresoj të dale një grup i ri. Berisha dhe Basha janë e njëjta monedhë, ndaç ktheje kështu ndaç ashtu, 10 lekë bën monedha. Hajde të ndërtojmë një rrugë të re, u bëj thirrje të gjithë kolegëve”, nënvizoi Shehi.

Reagon Mediu

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, nuk ka qenë i pranishëm dje në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, kjo pasi e konsideron të kapur nga Partia Socialiste. Por dje, në një intervistë televizive, Mediu foli edhe për propozimet e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Sipas tij, sistemi i primit, është një manovër e PS për të fituar zgjedhjet në tavolinë. “Sistemi i primit, është një manovër e Partisë Socialiste për të garantuar fitore në tryezë, për të përdorur elementë të opozitës, për të garantuar një fitore jo qytetare, por të qeverisjes. Po ta shikoni veprimi që ka bërë Partia Socialiste ishte ndryshimi i Kushtetutës pas shkeljes së marrëveshjes së 5 qershorit, që u bë me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Pas ndryshimeve kushtetuese ndryshoi kodi zgjedhor me një pjesë të opozitës në kuvendin e Shqipërisë me idenë se do të hapte listat dhe duke krijuar një problem të madh me moslejimin e koalicioneve parazgjedhore, duke i hequr opozitës mbi 12 mandate të mundshme”, deklaroi Mediu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here