Naim Zyberi mendoi që do të ishte më mirë që në vend të pritjes së hakmarrjes të sulmonte i pari. Kështu vetëm pak ditë më vonë, në 7 prill 1992 Gaz Muca do të ekzekutohej në mes të Tiranës. Në zonën e Xhamllikut afër shtëpisë së tij, Gaz Muça po pinte kafe në një lokal të sapo hapur. Befas përpara lokalit ndalon furishëm një veturë. Gaz Muça e kupton menjëherë se shënjestra ishte ai. Por nuk ka kohë të veprojë, një breshëri të shtënash vijnë në drejtim të tij. Djemtë e restorant Durrsit zbrazin deri në fund automatikët e tyre.
“Kam qenë në kqyrjen e vendit të Gaz Muçës dhe kishte një sasi të madhe gëzhojash të hedhur mbi trupin e tij saqë dukej si i palosur gjithë ai trup i bukur ishte i sharruar nga moria e madhe e plumbave që kishte marrë”, u shpreh ish-prokurori, Shkëlqim Hajdari.
Ngjarja tronditi mbarë komunitetin e Tiranës në atë kohë. Kurrë nuk ishin parë aq shumë njerëz në një funeral veç rastit të përcjelljes së diktatorit për në banesën e fundit. Vite më pas, ka qarkulluar një video nga ceremonia mortore kur merrnin pjesë shumë efektivë policie. Madje, ata krijuan formacione nderi dhe shtinë në ajër në nder të Gaz Muçës, duke u betuar për hakmarrje.
“Ndodhi vrasja në 7 prill të 1992 një nga ngjarjet më të rënda. Sot kur vrite një kriminel një pjesë gëzohen. Unë nuk kam parë në Tiranë ndonjë varrim me atë pjesëmarrje sa ai për Gaz Muçën që e çuan në tufinë. Mori pjesë gjithë Tirana pse, sepse ishte një lloj Robin Hood që e donin njerëzit”, u shpreh gazeatri, Roland Qafoku
“Është një vrasje kjo që ndodhi për një motiv fare banal për një motorr që u morr nga vëllai i vetë. Ata erdhën dhe e vranë, janë dënuar në atë kohë por dolën pastaj në 97 dhe ata që e vranë Gaz Mucën u vranë”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.