Marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali, reagon Sindikata e Emigrantëve në Itali: Përfitojnë disa kategori

0
81

Beskida Aliaj, nga Sindikata e Punës për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve në Itali në një intervistë televizive, ka komentuar lidhur me marrëveshjen për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali.

Ajo tha se do bashkohen vitet e punës nga të dyja shtetet dhe do përfitojnë pension nga të dyja vendet për aq vite pune sa kanë përkatësisht në Itali dhe Shqipëri.

Sipas saj një tjetër e mirë e kësaj marrëveshje është dhe fakti se marrëveshja u jep mundësinë emigrantëve të dalin në pension edhe më herët dhe janë disa kategori që përfitojnë nga kjo marrëveshje.

“Kjo marrëveshje parashikon bashkimin e viteve të punës për një shqiptar që jeton në Itali, janë vitet e punës në Shqipëri dhe ato në Itali. Në ato momente kur mbush moshën për pension  bashkon vitet për të fituar pension qoftë nga Italia apo Shqipëria. Për shembull nëse emigranti ka punuar 14 vite në Shqipëri ai nuk përfiton një pension shqiptar pa marrëveshje sepse minimumi i duhen 15 vite, pastaj emigron ne Itali dhe arrin të kapi vitet me pune në emigracion.

Pra në Itali nëse ka mbushur 19 vite pune ligji italian do 20 vite pune për të kapur një pension minimal, por duke qenë se ka 19 vite nuk e ka të mundur ta përfitojë pensionin sepse i mungon 1 vit tani në mungesë të marrëveshjes ai nuk përfiton pension në Itali dhe as në Shqipëri por me këtë marrëveshje këto vite i bashkohen dhe i shkojnë në total 33 vite pune dhe janë të mjaftueshme për të kaluar pragun e viteve në të dyja vendet dhe me këto kontribute ai do të përfitojë pension nga të dyja shtetet për aq vite punë sa ka.

Momenti i dytë është që Italia ka një ligj të brendshëm për italianët por në këtë rast përfitojnë dhe emigrantët pension me vjetërsi pune që ka mundur të bëjë 42 vite pune me kontributet dhe me kaq vite del në pension më herët, 5 vite më herët. Pra dalin në pension të parakohshëm nëse kapin 42 vite punë dhe 2 muaj. Kjo marrëveshje ju jep mundësinë që të dalin në pension më herët nëse kapin 42 vitet e punës.

Pensionistët mund të përfitojnë ‘kuota 100’, moshë plus vite pune të arrijnë 100 del menjëherë në pension. Kjo kuotë 100 është bërë kuota 103 që do të thotë që një qytetar në moshën 63 vjeç ka 50 vite punë përfiton një pension. Në këtë marrëveshje do futen dhe invalidët, gratë shtatzëna, ata që do marrin ndihmë ekonomike për papunësinë, pra janë disa kategori që përfitojnë nga kjo marrëveshje.”

Më tej ajo sqaroi se përllogaritja e pensionit nuk është e vështirë pasi bëhet automatikisht dhe sipas saj nëse qytetari ka pakënaqësi mund të bëjë dhe kërkesë për rishikimin e pensionit qoftë në Itali dhe Shqipëri.

“Ka një kosto sigurisht, në projektbuxhetin qeveria italiane vendosi një fond të posaçëm për pensionet dhe ky fond ka hyrë në fuqi në janar 2023 dhe kemi mundësi deri në 2033 ta shfrytëzojmë këtë fond i cili nuk përdorej dot deri në momentin që u nënshkrua marrëveshja. Marrëveshja është vërtet gjëja më e mirë sepse më përpara kemi bërë pensione italiane dhe pa marrëveshje sepse Italia e ofron një ligj të veçantë për emigrantët por me limite, ndërsa me marrëveshjen s’do ketë limite dhe kufizime do e marrin pensionin në çdo rrethanë qoftë duke jetuar në Shqipëri apo Itali. Marrëveshja hyn në fuqi në momentin që do ratifikohet nga të dy parlamentet.”, përfundoi Beskida Aliaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here