Franca, Belgjika dhe Holanda pritet të tronditin pushtetarët e korruptuar në vendin tonë. Mësohet se pozitat e disa politikanëve shumë të rëndësishëm në Shqipëri, përfshirë kupolën e Partisë Socialiste do të shkunden nga themelet, pasi kanë dalë zbuluar në biseda me anëtarë të fuqishëm të grupeve kriminale. Sinjalet i ka dhënë së fundmi gazetari Basir Çollaku dhe eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço. Ky i fundit tha dje se SPAK po përgatit dosjen “Metamorfoza 3”. Karamuço ka treguar detaje, teksa shprehet se nga hetimet do të dalin dhe të dhëna për biznesmenë dhe funksionarë të tjerë të Policisë së Shtetit. Ai theksoi se nga këto hetime mund të zbulohen urdhra për vrasje dhe fshehje të pronave. Eksperti vijoi duke thënë se kjo dosje është voluminoze dhe ka një fluks informacionesh. “Jam në dijeni që SPAK po përgatit dosjen Metamorfoza 3. Do të dalin të dhëna të tjera për biznesmenë, funksionarë të lartë të policisë së shtetit, qoftë me përgjime, me urdhërime për vrasje, por edhe fshehje të pronave. Është një fluks i madh informacionesh. Sigurisht që ka një volum të madh dhe kërkon një punë të jashtëzakonshme”, tha ai për “Abc News”.
Tronditet PS
Ndërsa gazetari Basir Çollaku tha se autoritetet e huaja kanë zbërthyer “supertelefonin Sky” të qeverisë “Rama”. “Amerikanët e dinë, evropianët e dinë, kryesisht francezët, belgët, holandezët, pjesë e ekipit hetimor të dosjeve të mëdha “SKY encro, e kanë nëpër duar. Prokuroria e Posaçme sigurisht ka dijeni. Një nga telefonat e kriptuar të rëndësisë së vaçantë për nga përdoruesi, komunikimet, përmbajtja, mes germave të shumta para dhe pas numrave ka pasur 003 dhe vijojnë gërma e numra që plotësojnë kodin e plotë. Por ndalojmë me kaq, të tjerat ia lëmë njerëzve të dosjes. Ai mund të quhet supertelefoni i kriptuar qeveritar. Ngjan sikur historia përsërit shakanë e kripur penale të radhës, si me makinën e ish ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, atë të targës së Audit 003 GB. Nuk është vetëm një numër, natyrisht ka edhe shoqëri kolegësh në qeveri, duke krijuar një kabinet Skay-Encro në Këshillin e Ministrave, ku pushtetarët e mazhorancës, punët e parasë e të keqbërjes ligjore, i diskutonin mënjanë, larg syveshëve të përgjimit, si karshillëk ndaj drejtësisë. Ka biseda e komunikime brenda dhe jashtë vendit, me njerëz me peshë, të cilat janë bërë më pas veprime sipas dakordësive e premtimeve. Ato fashikuj e kapërcejnë tërmetin publik. Afro 15 ditë më parë, një mik më dërgon një episod të një reportazhi për narkotikët, fuqizimi shpërthyes të trafiqeve në vitin 2023, duke përfshirë edhe mafian shqiptare, në një nga mediat më të mëdha franceze, BFMTV”, shkruan Çollaku.
Do fundosen krerë shtetesh
Gazetari zbulon dhe detajin nga prokurorët belgë, të cilët kanë paralajmëruar se në Ballkan do të bien krerë shtetesh. “Ndër të tjera një nga prokurorët belgë shprehej se me lënin në fuqi nga Strasburgu të vendimit të Gjykatës Kushtetuese franceze, për marrjen si prova të përgjimeve, në Ballkan bien krerë shtetesh. Nuk është lënë jashtë vëmendjes së investigimit fijet me mafien në Ekuador apo ndërtimi në Shqipëri, me çmime jashtë çdo logjike tregu. Tek ne ka jo pak ministra përdorues, zyrtarë të drejtësisë, Policisë së Shtetit, medies, bizneseve, pushtetarëve vendorë, duke krijuar një Kuvend të frikshëm me botën e krimit, në shkëmbime nderesh, financash, klering vrasjesh, trafiqesh, investimesh strategjike, streha ofshoresh. Bisedat mes palësh, në qindra mijë faqe, kanë tre prioritete të përsëritura në komunikimet tashmë pjesë dosjesh sa të ardhura sa duke mbërritur. Zgjedhjet, vettingun dhe drejtësinë, si dhe investimet. Në materialet e sjellë nga partnerët, habia dhe dyshimi janë ekstreme, ndaj dërgesat kanë adresë vetëm Prokurorinë e Posaçme, jo ministrinë e drejtësisë, apo ndonjë institucion tjetër”, shkruan ai.
Ndërhyrja e SPAK
Sipas tij, politikanët kanë urdhëruar dhe vrasje. “Ministrat Balla dhe Manja, janë mbajtur larg dijenisë së informacioneve të ndjeshëm për emrat nëpër dosje, duke mos rriskuar dekonspirime, të cilët sërish nuk kanë mundësi asgjësimi të asnjë flete. Formulari komik nismë e Ballës, nuk solli asnjë vetëdorëzim në polici, ndryshe nga sa saktësoi ditë më herët zoti Dumani, se në çdo dosje u rezultojnë oficerë policie, madje dhe zyrtarë drejtësie. Në intervistat e shpeshta e dashura e agjentit Charles McGonigal, përmend bisedat e tij me kryeministrin Rama. Në kontekstin e rrëfimit të saj ngjan se nuk është telefoni qeveritar i komunikimit dhe mundësitë e një Sky Encro gjenden aty. Një letërporosi e dërguar nga SPAK mund të sjellë fashikuj ku gjenden jo pak përgjime të çkoduara tashmë dhe mbushur me ngjarje. Në materialet aktuale “parkuar” në Prokurori, kanë ngjarje të mëdha të krimit elektoral, të zbardhura, në disa qarqe të Shqipërisë. Kanë të qartë skemën e punës bashkë të pushtetit, Mafias, shpërblimet e përfitimet e palëve, për të qenë po bashkë marrës vendimesh për ekonominë, politikën, e plot zhvillime të tjera në vend. Deri në porosi vrasjesh politike. Kanë zbërthyer pjesët takuese në para e aktivitet, të prokurorëve, gjyqtarëve, apo funksionarëve publikë. Gjithçka është me emra, mundësia e të provuarit është kollajllëk, pasi siguria e të përfshirëve është ende paprekshmëri e luhatur lehtë. Deri një ditë. Kur durimi i atyre që janë në anën e drejtësisë kryesisht i partnerëve, të vendosë të mos heshtë për heshtjen dhe çapitjen e përgjumur të disa institucioneve në vendin tonë…”, përfundon shkrimin gazetari.









































