Java e 21-të e Kategorisë Superiore nisi dje me duelet e para të saj, ku spikatën rezultatet e befasishme, por edhe krizat e reja në horizont për disa ekipe. Padyshim që kampionati ka hyrë në një fazë ku gabimet kushtojnë dhe Tirana, e cila mendohej se e kishte kaluar vështirësinë, me disfatën që pësoi dje në kryeqytet ndaj Skënderbeut dëshmoi se është e paqëndrueshme në lojë e rezultate dhe natyrisht larg objektivave sezonalë. Përkundër saj, Partizani ia doli me shumë sforco të marrë një barazim në Shkodër që të paktën e mban në pozitën e dytë, kurse vetë shkodranët m,e një pikë që morën dje mbajnë vendin e tretë. Në rrethanat e reja të krijuara në renditje, duket se katërshja kryesuese, me përjashtim të Egnatias së vendit të parë, e ka të pamundur të shkëputet, pasi ekipet nuk kanë qëndrueshmëri në performancën e tyre. Mund të thuhet se edhe pas këtyre ndeshjeve gara për titull mbetet e hapur pasi janë edhe shumë ndeshje në lojë dhe në këtë formulë gare ka shumë duele direkte që ndikojnë në renditje.
Tirana pëson disfatë nga Skënderbeu, Vllaznia barazon me Partizanin
Tirana thyhet në “Air Albania”, ndërkohë që përfundon në barazim 1-1 Vllaznia-Partizani. Bardheblutë u mposhtën 3-4 nga Skënderbeu. Fitore fantastike e skuadrës korçare, që shënoi me nigerianin Ahanonu (2 herë), Shaqen dhe Liçon. Golat e Abazajt (p), Përgjonit dhe Patrik nuk sollën asnjë pikë për skuadrën e Ahmatajt, që sot regjistroi humbjen e shtatë sezonale në Superiore. Ndërkohë, Tirana e mbylli sfidën me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të kapitenit Hoxhallari. Tirana mbetet e katërta me 30 pikë. Katër pikë më shumë se Laçi dhe pesë mbi Skënderbeun (-1 ndeshje). “Paqe” në “Loro Boriçi”. Të dy golat u realizuan në pjesën e parë të ndeshjes. Kampionët kaluan në avantazh falë golit me kokë të senegalezit Gueje (23’), por shkodranët barazuan falë një penallti të ekzekutuar saktë nga Balaj (42’). Tri pikë mbetet distanca mes këtyre dy skuadrave, respektivisht të renditura në vendin e dytë dhe të tretë. Por gara është e gjatë dhe ka ehde shumë duele direkte që do të duhet për të përcaktuar renditjen përfundimtare.
Ahmataj: Skënderbeu e zuri Tiranën në befasi, ndeshja jonë u bë malore
Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, nuk e fshehu zhgënjimin e tij për disfatën e djeshme të bardhebluve. “Është e vështirë por ngelëm dhe me 10 lojtarë dhe kjo e bëri edhe më të vështirë ndeshjen, patëm mundësi për ta barazuar dhe fituar ndeshjen, por nuk u realizua dot dhe ky është futbolli. Në goditjet standarde na kapën të papërgatitur dhe duhet më shumë vigjilencë dhe kështu pësuam dy golat e parë, ndikoi në anën psikologjike dhe në ecurinë e lojës, kemi luajtur shumë mirë këtë periudhë dhe kjo ishte si një kolpo, djemtë e kapën ritmin por më pas ndeshja shkoi gjithnjë në malore. Është e vërtetë pjesa e golave punojmë shumë për të mos pësuar janë momente neglizhence që na gjejnë të fikur ndonjëherë. Ermal Meta ishte më i riu për të shkuar në një pozicion që ishte mbrojtësi, rikthyem ndryshimin dhe kjo na dha ndryshim, nuk ka lidhje me rreshtimin se problemet që kishte një lojtar jashtë pozicionit”, u shpreh ai.
Java 21
Të dielën
Laçi-Teuta 1-1
Tirana-Skënderbeu 3-4
Vllaznia-Partizani 1-1
Të hënën
Egnatia-Erzeni 13:30
Dinamo-Kukësi 17:00
Renditja
Nr.Ekipi Pikë
1.Egnatia 43
2.Partizani 36
3.Vllaznia 33
4.Tirana 30
5.Laçi 26
6.Skënderbeu 25
7.Dinamo 22
8.Erzeni 22
9.Kukësi 19
10.Teuta 18