Lulzim Basha premton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave në Shqipëri

0
58

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është zotuar se forca politike që ai drejton, do t’i qëndrojë deri në fund angazhimit për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave në Shqipëri. Këtë, ai e tha gjatë një konference për shtyp të premte, teksa e ka shpërndarë mesazhin edhe në rrjetet sociale këtë të shtunë. Kategorinë e pronarëve, të cilët ende nuk i kanë marrë pronat e tyre, Basha i ka listuar në grupin personave “më të diskriminuar në Evropë” sa i takon kësaj kauze. Kjo, pasi ata nuk gëzojnë dot të drejtën themelore të pronës, të cilën e liston si të dytën më të shenjtë, pas të drejtës së jetës. Për këtë ai fajësoi jo vetëm Partinë Socialiste në pushtet, por edhe premtimet e pambajtura të PD-së në të kaluarën. Në deklaratë, kreu i demokratëve përmend edhe një shumë prej 30 milionë eurosh, të cilën sipas tij qeveria e tanishme ia ka marrë buxhetit të shtetit për ish-pronarët dhe ia ka alokuar AlbControl-it. Kjo, për ta shpëtuar këtë të fundit, në fjalët e tij, nga falimentimi. “Partia Demokratike është vetëdijësuar dhe se mizore siç është ky rialokim për të fshehur dështimin e Edi Ramës dhe faktin që nga taksat e shqiptarëve duhet t’i paguajmë 30 milionë AlbControlit sepse ia ka marrë Euro Controli për t’ia dhënë Beckettit”, përmend Basha. Teksa më tej, shtoj se kryeministri Edi Rama, e ka bërë të qartë sipas tij se pronarët dhe të përndjekurit nuk janë prioriteti i tij qeverisës. “Dhe s’kishit pse ta prisnit prej tyre, keni çdo të drejtë të jeni të mërzitur, të mllefosur me Partinë Demokratike, që u ka dalë për zot sa herë vijnë fushatat, por u ka tradhtuar sa herë ka qeverisur”, ktheu ai gishtin edhe nga vetja. Për këtë arsye, ai mendon se të djathtët nuk mundet t’i ikin përgjegjësisë së tyre. Kreu demokrat solli në vëmendje edhe faktin se Partia Demokratike ka nënshkruar me të gjitha shoqatat e pronarëve në vitin 2021 një dokument bashkëpunimi dhe tha se ai i qëndron atij angazhimi. “Angazhimi përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë ku prona nuk është e pazënë, i rikthehet menjëherë pronarit të ligjshëm, që këta kanë qejf t’i thonë ish-pronari. Aty ku prona është e tjetërsuar, ndjekja e një modeli të suksesshëm si në vendet e tjera që kanë pasur problem të ngjashme që është kompensimi financiar me vlerë tregu”. I gjithë kompensimi, në sa pretendon Basha, është i arritshëm kur buxheti i një shteti nuk abuzohet, por mirëmenaxhohen taksat dhe ekonomia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here